E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj: Tani besoj se u bindën për Teutën

Nga DORIAN AGOLLI

Mesfushori beratas ka shënuar në ndeshjen e fundit, por nuk ka festuar, në shenjë respektë të tifozëve të Tomorit

Bëra detyrën për Teutën dhe më vjen mirë që shënova golin tim të parë këtë sezon, por nuk mund të festoja në respekt të Beratit, sepse ai është qyteti im, por futbolli kështu e ka. Këto kanë qenë fjalët e beratasit të Teutës, Emiljano Veliaj, i cili ka komentuar fitoren e fundit të durrsakëve:

Unë jam profesionist dhe, si i tillë, do të bëj maksimumin për fanellën e Teutës, ndaj më vjen mirë që shënova golin e parë timin të këtij sezoni. Golin ia dedikoj të gjithë grupit të Teutës, pasi jemi një grup kompakt, që punojmë fort të gjithë bashkë dhe të gjithë bashkë luftojmë që të ruajmë kryesimin.

Teuta komentohet në shumë media vizive dhe të shkruara dhe shpesh është folur që është një ekip pragmatist, që shënon një gol dhe në këtë mënyrë mund të rrezikojë të largohet nga kreu i renditjes, por sipas Veliajt, ekipi durrsak po vërteton të kundërtën.

Ne nuk i bindim të tjerët me fjalë apo komente, pasi ne komentet i bëjmë në fushë dhe fusha tregon që Teuta e meriton kreun jo vetëm si pasojë e rezultateve, por edhe e lojës që zhvillon. Ndoshta ka njerëz që nuk besojnë se ne do të vazhdojmë në këtë mënyrë, por kjo nuk është e rëndësishme, pasi rëndësi ka që ne të kemi besim se do të vazhdojmë në këtë rrugë, vijon Veliaj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›