E Diel, 1 Nëntor 2026

Edvini dhe Mrika s’bindin dot tiranasit se s’do t’ua vjedhin paratë

Dy ditë para mbajtjes së mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, për buxhetin e ri, Edvini ka nxjerrë Mrikë Vatën (alias Mimi Kodhelin) për të shantazhuar këshilltarët e LSI-së, që të votojë një buxhet, i cili i jep dorë të lirë kryebashkiakut me korrespondencë të privatizojë gjithë investimet e 2009-s, në një shumë prej 19 milionë eurosh. Një rrëzim tjetër i projektit pritet të shoqërohet nga miratimi i një dokumenti alternativ investimesh, prej një shumice të re në Këshillin Bashkiak

TIRANE - Partia Socialiste i bëri dje thirrje kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta që të mos vazhdojë të shkelë kontratën me qytetarët shqiptarë, duke u bërë palë kundër buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Gjatë një komunikimi me mediat, zëdhënësja e kësaj Partie, Mimi  Kodheli solli në vëmendje votën e djeshme të socialistëve pro buxhetit të qytetit të Lushnjës, i cili drejtohet nga të zgjedhurit e LSI-së.
Sipas Kodhelit “me votën e djeshme, PS respektoi kontratën e koalicionit të zgjedhjeve të 18 shkurtit me qytetarët lushnjarë”.
“Dje shqiptarët panë dy tablo qartësisht të dallueshme të raportit mes politikës e qytetarëve. Atë të Këshillit Bashkiak të Lushnjës, ku këshilltarët socialistë votuan buxhetin e qytetarëve, pavarësisht se jo të gjitha vërejtjet e tyre u morën parasysh nga Kryebashkiaku që i përket grupit të Ilir Metës, por edhe tablonë e Pallatit të Kongreseve, ku me gjuhën e vjetër Ilir Meta e Monika Kryemadhi fyen e shpifën në mënyrën më shembullore për Bashkinë e Tiranës e Kryetarin e saj”, vijoi më tej Kodheli.
Megjithatë drejtuesit e LSI-së përmes Sekretarit të Përgjithshëm të saj Petrit Vasili ka bërë dje të qartë se nuk do të heqë dorë nga qëndrimi kundër projektbuxhetit aktual të Bashkisë së Tiranës për arsye se sipas tij është kundër interesave të komunitetit  të gjerë kryeqytetas.
“Pas takimit të LSI me mijëra qytetarë të Tiranës, anëtarë dhe simpatizantë të saj, ku drejtuesit e LSI-së kanë kërkuar transparencë dhe ndershmëri nga Bashkia e Tiranës për menaxhimin e fondeve të buxhetit për qytetarët, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës nxorën mbrëmë në orët e vona, mes një shiu të dendur punonjësit, duke u përpjekur të mbulojnë me zift gropat e shumta të ndodhura në Sheshin ‘Skënderbej’. Edhe këtë herë drejtuesit e bashkisë kanë shpërdoruar kontributin e qytetarëve, që çdo qindarkë e paguar prej tyre të kthehet në shërbim, por mbrëmë ata kanë bërë atë që dinë të bëjnë më mirë, duke u kujdesur më shumë për fasadë dhe demagogji, sesa për të rregulluar vërtetë kryeqytetin, si dhe shërbimin ndaj qytetarëve”, deklaroi Vasili.
Sipas tij ky është një rast flagrant dhe i dënueshëm, sepse mbulimi i këtyre gropave të vogla me zift, nuk e mbulon dot atë gropë të madhe që ka krijuar Bashkia e Tiranës nga shpërdorimi i buxhetit të qytetarëve. Edhe njëherë numri dy i LSI-së ka kërkuar nga Kryetari i Bashkisë që të ulet me anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe të diskutojë për këtë buxhet, sepse sikurse tha ai, buxheti është i qytetarëve të Tiranës, jo i Edi Ramës, apo i punonjësve të tjerë të administratës të Bashkisë, të cilët përpiqen ti mbushin mendjen qytetarëve duke e konsideruar votën e LSI-së, si votë politike. “Përkundrazi LSI-ja nuk tërhiqet nga qëndrimi i saj tepër parimor dhe luajal, qëndrim ky që i shkon përshtat interesave dhe qëllimeve të komunitetit të gjerë të Tiranës”, theksoi ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›