Veliaj udhëton drejt SHBA-ve
Drejtuesi i Lëvizjes G99, Erion Veliaj, do të marrë pjesë në ceremonitë e inaugurimit të Barack Obamës, si Presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Veliaj, i njohur si mbështetës i Obamës gjatë dhe pas fushatës elektorale, si dhe redaktor politik i versionit në shqip të librit të tij "Guximi për të shpresuar", do të udhëtojë drejt Uashingtonit, ku më 20 janar Obama do të bëjë betimin si Presidenti i ri i SHBA. Veliaj, i cili ka qenë i pranishëm dhe në Konventën e demokratëve në Denver, si dhe aktivistë të tjerë të Lëvizjes G99, do t‘i dhurojnë Presidentit Barack Obama librin e tij në shqip, "Guximi për të shpresuar", një bestseller në Shqipëri, botim i shtëpisë botuese "Dudaj". Deri në momentin solemn të betimit të Presidentit, pritet të zhvillohen një sërë ceremonish festive në kryeqytetin e SHBA. Parashikimet paraprake bëjnë të ditur se të paktën 2.5 milionë njerëz pritet të jenë të pranishëm gjatë momentit kur Obama do të thotë fjalët: "Betohem solemnisht se do të përmbush me besnikëri detyrat e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të bëj më të mirën brenda aftësive të mia, për të ruajtur dhe për të mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës". Obama ka kërkuar që në këtë betim të shtojë edhe fjalët "Zoti më ndihmoftë", të cilat nuk parashikohen detyrimisht në betimin zyrtar. Kjo ka shkaktuar reagime nga disa grupe të ndryshme interesi, por Presidenti i ri, një i krishterë i devotshëm, duket i vendosur që ta shqiptojë gjatë betimit këtë lutje drejtuar Zotit.