Veliaj:Pas NATO-s,të realizohen zgjedhje me standarde

Lideri i lëvizjes G99, Erjon Veliaj i ftuar në Ora News theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën kushtin kryesor për të realizuar zgjedhje me standarde. "Nuk mund të kemi më zgjedhje si të vitit '96, nuk mund të jemi i vetmi vend në NATO që aplikon taksën e votës. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një test për Shqipërinë pas anëtarësimit në NATO, test edhe për hyrjen ne BE", saktësoi ai. Veliaj vlerësoi se anëtarësimi në NATO meritohej të festohej sepse ishte një dëshirë e të gjithë shqiptarëve e cila u realizua ."Sot ndihem krenar që kombi im është pjesë e aleancës më të madhe në botë. Kjo është edhe një apel për të rritur standardet",u shpreh ai. Lidhur me mënyrën e festimit të hyrjes në NATO, Veliaj theksoi se fakti që kriza po prek ekonominë duhet të kishte shërbyer si një arsye për të qenë të matur me shpenzimet për festën. "Duhet të tregohet pak kujdes me financat publike", tha ai. Sa i përket rrezikimit të zgjedhjeve për shkak të procesit të shpërndarjes së kartave të identitetit ai tha se alarmi i opozitës është i justifikuar dhe se G99 është e përfshirë në këtë shqetësim. "Heqja e taksës së votës është një betejë që duhet fituar",tha ai. Lideri i G99 duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme tha se kjo lëvizje renditet forca e tretë politike në Shqipëri. "Jemi gati për zgjedhjet. Shumë shpejt do kemi tur në univeritete të ndryshme të vendit", u shpreh ai. Duke iu referuar stafit elektoral të presidentit amerikan Barak Obama i cili do të mbështesë lëvizjen G99, Veliaj shpjegoi se ndaj këtij stafi kërkohet taktika e punës me publikun. "Të rinjtë e stafit të Obamës janë bashkëmoshatarët tanë të që i dhanë një tjetër dimension fushatës së tij. Po përpiqemi që ato taktika që funksionuan në fushatën e presidentit Obama të funksionojnë edhe në Shqipëri. Ne po kërkojmë taktikën e punës me publikun", shpjegoi Erjon Veliaj. Sipas liderit të G99-ës janë duke u negociuar disa pika për hyrjen e koalicionit zyrtar me PS-në, ndër të cilat kryesoret janë vota e emigrantëve,rritja e buxhetit të arsimit dhe punësimi i të rinjve.