E Diel, 1 Nëntor 2026

Velijaj ose lirohet, ose i vazhdohet paraburgimi

Për gruan e cila dyshohet se keqpërdori 1.4 milionët e prodhimit të pasaportave biometrike duhet të vendoset sot. Për të ose duhet të ngrihet një aktakuzë ose duhet të lirohet në procedurë të rregullt. Avokati i saj, Nuhi Paçarizi, thotë se afati për vazhdimin e paraburgimit i ka kaluar të gjitha limitet. Prandaj nuk beson më që Velijajt t’i vazhdohet kjo masë arresti.

Prokuroria duhet t’i marrë parasysh të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të, e ta ngre një aktakuzë, ose duhet ta lirojë Velijajn përfundimisht. Shtyrja e paraburgimit prej janarit e deri më tash nuk ka më kurrfarë baze ligjore.

Kështu thotë avokati mbrojtës, Nuhi Paçarizi, , transmeton RTK. Sipas tij 9 shtatori është data kur klientes së tij i skadon afati për paraburgim. E është pikërisht kjo ditë tek e cila ai nuk beson mëqë Velijajt do t’i duhet të qëndrojë në burgun e Lipjanit.Natali Velijaj u arrestua në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimet për keqpërdorimin e 1.4 milion eurove në rastin e prodhimit të pasaportave biometrike. Prej asaj kohe asaj me kërkesë të prokurorit Gjykata e Qarkut në Gjilan, ia ka shtyrë paraburgimin nga dy muaj deri më sot.

Velija gjendet në paraburgim, së bashku me dy persona të tjerë për këtë çështje. E njëjta pasi që i është caktuar paraburgimi kishte kërkuar që të shpallet nga gjykata dëshmitare bashkëpunuese, por një gjë e tillë ishte refuzuar.

Velija më pas kishte paraqitur në prokurori edhe dokumente me të cilat ajo ishte e autorizuar nga firma austriake që të veprojë në Kosovë në emrin e saj. Ajo tani pretendon se të gjitha 1.4 milionët i ka transferuar në kontot e zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe një zyrtari të Ambasadës Austriake në Kosovë, ashtu siç i kishte e kishte udhëzuar kompania austriake OeSD.

Megjithëse, Velija, pronarja e kompanisë “Consulting EU Sh.P.”, pos skandalit me pasaporta ka edhe një rast të mëhershëm penal për keqpërdorim të fondeve.

Gjatë kohës kur po punonte si përfaqësuese e kompanisë që kishte kontratë me Ministrinë e Punëve të Brendshme ajo ishte duke u paraqitur në gjykatë, ku po përballej me akuzat e prokurorit publik për keqpërdorimin e 7 400 eurove, të cilat ishin ndarë për renovimin e një shkolle në fshatin Pobërgjë të Deçanit.

Sipas aktakuzës së prokurorit, Velija akuzohet se ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare duke keqpërdorur fondet e OJQ-së “Dielli i Kosovës”, në të cilën Velija ishte drejtoreshë. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›