Velijajn e “bombardojnë” ofertat nga Greqia Ekipet e interesuara e duan atë që në afatin e janarit, por lojtari shqiptar nga Maqedonia nuk e ka ndërmend t’i braktisë “verdhezinjtë”, pasi dëshiron të respektojë kontratën me klubin

RESHAT IBRAHIMI (Shkup, 25 dhjetor) – Futbollisti titullar i Besës nga Kavaja, Bilall Velija, i cili luan në pozicionin e mbrojtësit dhe të mesfushorit të djathtë ka marrë disa oferta nga disa skuadra të kategorisë së dytë të futbollit grek dhe një ofertë tjetër nga një klub i ligës së parë.
Ekipet e interesuara e duan atë që në afatin e janarit, por lojtari shqiptar nga Maqedonia nuk e ka ndërmend t’i braktisë “verdhezinjtë”, pasi dëshiron të respektojë kontratën me klubin (deri në qershor të 2009-së). Në një bisedë për “Lajm”, ai thotë se për ofertat që kanë mbërritur në adresë të tij ka njoftuar presidentin e klubit, Nexhat Bizhdili, mirëpo pa lejen e tij nuk mendon të largohet, për shkak se ky i fundit ka qenë tejet korrektë jo vetëm ndaj tij, por edhe ndaj bashkëlojtarëve të tjerë.
“E kam pasur një takim me presidentin dhe e kam njoftuar për të gjitha ofertat nga skuadra greke të ligës së dytë dhe të ligës së parë, por edhe për oferta të tjera. Mirëpo, ai më është përgjigjur se unë i duhem ekipit dhe trajnerit të Besës, prandaj nuk mendoj të largohem deri në fund të kontratës. Dua ta respektoj atë, sepse edhe nga presidenti jemi të respektuar. Kontrata më përfundon në qershor të vitit 2009 dhe mendoj t’i qëndrojë besnik ekipit deri në fund, pastaj të shohim”, ka bërë të ditur Velija, i cili nuk ka luajtur për Besën që nga java e gjashtë e kampionatit, pas ndeshjes me Elbasanin.
Në fakt, gjatë një seance stërvitore ai kishte pësuar tërheqje muskulore në këmbën e djathtë që thjeshtë e kishte larguar nga skuadra. Velija tani ndjehet mirë dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit për sezonin pranveror. Ai te Besa ka ardhur në fillim të edicionit nga skuadra nënkampione e Azerbajxhanit, Olimpik Baku, ndërsa më herët ka qenë pjesë e ekipit finlandez, FC PoPa. Në Maqedoni ka luajtur për Shkëndijën e Tetovës.
E Enjte, 25 Dhjetor 2008