E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuri Bylyku: Kur Krujfi luante letra në “Dajti”

Bledar KUKA - Ajaksi i madh i Amsterdamit i vitit 1970 ishte një skuadër “qingjash”. Tepër të edukuar, të rregullt dhe të disiplinuar, me në krye “gjeneralin” Marinus “Rinus” Mishels, ata barazuan 2-2 në “Qemal Stafa” me 17 Nëntorin (Tiranën), një nga rezultatet më të famshëm të futbollit shqiptar të klubeve. Nuri Bylykut, ish-kapiteni i viteve 60-të, më pas zv/shef dhe shef i klubit deri më 1988, i takoi që t’i shoqëronte “tulipanët” bardhekuq gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, duke pasur rastin të bisedonte me Mishelsin, të vëzhgonte Johan Krujfin, por edhe të tjerët amsterdamas.

“Ajaksi ishte një skuadër me disiplinë shembullore, - thotë Bylyku, duke iu kthyer kujtimeve të vjetra pa shumë vështirësi, në kolltukun e kafes së vogël të “Çoçës” aty në një rrugicë të rrugës së Kavajës, - ishin shumë të edukuar dhe një e rënë e bilbilit të trajnerit Mishels mjaftonte për gjithçka”. Pyetja e parë dhe e natyrshme e një njeriu që e ka ndjekur gjithë jetën sportin është: çfarë bënte dhe si sillej Johan Krujfi?

“Krujfi në atë kohë sa po e merrte shkëlqimin dhe Ajaksi ishte duke përfunduar organizimin e tij si skuadër, - tregon Nuriu, - ai rrinte e luante me letra, kryesisht shoqërohej më shumë me ate mbrojtësin, Zurbierin. Me atë luante letra”. Fakti që Zurbieri është ndihmësi i trajnerit të sotëm të Shqipërisë, Ari Han, e habit pak dhe e bën të gëzojë. Zotit Bylyku i thashë se një nga lojtarët e Tiranës në atë kohë, Ramadan Shehu, më ka treguar se Krujfi pinte disa cigare të holla.

“Po, po, - kujtohet ai, - ata pinin thuajse të gjithë cigare dhe unë habitesha sesi i lejonte trajneri. Por pinin fare pak dhe kur ngjiteshin në autobus për stërvitje, as që bëhej më fjalë”. Duke u rikthyer te Krujfi, Bylyku qesh dhe thotë se “kuptohej menjëherë që ishte tip i hedhur, ngacmues, nuk rrinte në një vend, si një akrep”.  Veçse, gjithçka ishte brenda kuadrit të edukatës.

“Lojtarët e Ajaksit kërkonin leje edhe për të porositur ndonjë çaj, - rrëfen, ish-kapiteni bardheblu, - siç e thashë më lart, ishin shumë të edukuar. Madje, në një moment, u ulën të gjithë në shkallët e prapme të hotel “Dajtit” dhe unë desha të largohesha, meqë ata mund të bënin stërvitje teorike. Më ftuan të qëndroja dhe unë dëgjoja sesi Mishelsi i thoshte që në 45’ e para të studionin kundërshtarin dhe në pjesën e dytë të sulmonin”. Ajaksi qëndroi 3 ditë në Tiranë, duke u stërvitur fillimisht në “Selman Stërmasi” (atëherë stadiumi “Dinamo”) dhe pastaj në “Qemal Stafa”.
Për Rinus Mishelsin ishte sezoni i fundit tek Ajaksi. “Unë do të largohem, - i hapi zemrën ai, shqiptarit Bylyku, ndërsa priste të vinte pasditja e së mërkurës së 16 shtatorit për t’u ndeshur me shqiptarët, - kam disa vjet këtu, këta djem nuk kanë çfarë të mësojnë më prej meje, as unë nuk kam ç’të marr më prej tyre”.

Pas “gjeneralit” erdhi Shtefan (Ishtvan) Kovaçi, hungarezi nga Rumania, që vazhdoi punën e tij thuajse në të njëjtat shina.Holandezët erdhën në Rinas me ushqimet e tyre me vete. Historitë lidhur me Shqipërinë e asaj kohe siç duket nuk ishin edhe aq pozitive. “Ne i garantuam që ushqimi në “Dajti” ishte i shkëlqyer dhe ata mund ta provonin vetë, - thotë Nuriu, - ashtu u bë. Ata hëngrën ushqimet shqiptare dhe vetëm përdorën zupat që kishin marrë me vete, asnjë ushqim tjetër”.

“Ajaksi, vetëm në 60 për qind”
Kur përfundoi takimi, Rinus Mishelsi, i deklaroi Bylykut se ai që luajti ndaj 17 Nëntorit nuk ishte Ajaksi i vërtetë. Jo vetëm sepse mungoi Johan Krujfi, që vetëm erdhi me shokët, por thjesht bëri nxemje prapa portave. “Ekipi im është ende në 60 për qind të formës, - u shpreh Mishelsi, për habinë e shqiptarit, - do na duhen edhe 2 muaj që të vijmë në pikun sportiv”. Bylyku e shpjegon këtë me synimet afatgjata që kishin holandezët, pasi ata synonin kupën e kampionëve dhe titullin në Holandë. Titullin kontinental ata e fituan, por jo kampionatin më 1971. Ajaksi fitoi kupën e kampionëve më 1971, 1972 dhe 1973 si dhe titujt holandezë më 1972 e 1973, tashmë me Kovaçin.

“Standardi i Liezhit, ekip vagabondësh”
Çuditërisht, zoti Bylyku ka një përshtypje shumë të keqe nga skuadra belge e Standardit të Liezhit që vizitoi Tiranën më 1969 më 1 tetor 1969 dhe barazoi 1-1 me gol shënuar për shqiptarët nga Kazanxhi në 90’. “Ata na nxorrën shumë probleme, - kujton ai, - ishin krejt ndryshe nga Ajaksi. Rrëmujaxhij, deshën të largoheshin nga Shqipëria pa paguar 100 për qind hotelin”. Standardi erdhi në Tiranë me 80 gazetarë me vete, ndërsa në Rinas nuk u lejuar, sipas Bylykut, të largohej pa paguar për gazetarët. “Ne kishim detyrë t’i siguronim delegacionin sportiv dhe një biletë në stadium për gazetarët, të tjerat duhej t’i paguanin”, - përfundon ai.

E Enjte, 25 Dhjetor 2008  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›