E Shtunë, 31 Tetor 2026

Velipoje/ Prej neser nis puna per ndertimin e impiantit te ujerave te zeza

Ndërtimi i impiantit të përpunimit të ujrave te zeza në plazhin e Velipojës, punimet e të cilit pritet të nisin nesër, vlerësohet si mjaft i rëndësishëm nga autoritetet vendore në këtë zonë.

Falë investimit prej 15 milionë eurosh të Bankës Botërore bëhet e mundur vendosja e impiantit në plazhin e Velipojës, ndërsa pushuesit që çdo vit po shtohen në këtë plazh do të kenë tashmë kushtet higjenike të nevojshme. Ndërkohë po shikohet mundësia e ndërtimit të një Landfildi, në zonën e Sukë-Pulajve, afër zonës së përpunimit të ujrave të zeza. Me ndërtimin e këtij Landfildi, bëhet e mundur edhe eleminimi i grumbullimit dhe përpunimit të mbeturinave në zonën e plazhit.

Sipas projektit, faza e parë e investimit që përfshin gjysmen e vijes bregdetare të plazhit të Velipojës do të përfundojë brenda një periudhë 14 mujore, ndërsa faza e dytë që parashikon përmbylljen e te gjithë vijës bregdetare, përfundon brenda tre vitesh.

Plazhi i Velipojës gjatë sezonit turistik të këtij viti ka qënë shumë i frekuentuar nga vizitorët, vendas dhe të huaj, ku në krahasim me një vitë më parë, numri i tyre është trefushuar. Përmirësimi i kushteve të shërbimit në territorin e plazhit, por edhe përmirësimi i dukshëm i infrastrukturës rrugore që lidhë Shqipërinë me Kosovën, ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të fluksit të pushuesve kosovarë, si dhe atyre nga Maqedonia dhe diaspora shqiptare në vendet europiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›