E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai i Arben Frrokut deputet: Tani do të çlirojmë drejtësinë nga krimi

TIRANE - Mark Frroku, vëllai i Arben Frrokut, biznesmenit të dyshuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt, është votëbesuar në qarkun Shkodër, duke siguruar një karrige në Kuvendin e ri që do të dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Frroku ka siguruar një numër prej 6500 votash dhe do të përfaqësojë Partinë Kristian Demokrate. “Do të jem kritik ndaj çdo lloj padrejtësie që pushteti mund t’u bëjë qytetarëve”, - thotë Frroku, i cili ndihet keq, për faktin se ka siguruar një mandat që mund të ishte në duart e të vëllait, i cili ndodhet prapa hekurave. “Fitorja ime dhe e së majtës, do ta çlirojë drejtësinë nga ndikimet dhe do të vërtetohet pafajësia e vëllait tim. Banda kriminale e Ministrisë së Brendshme, që i shkaktoi vuajtje familjes sime, do të marrë ndëshkimin e merituar”, - thekson Frroku në intervistën e parë si deputet i ardhshëm i Kuvendit.
Z.Frroku, nga votat që keni grumbulluar në qarkun Shkodër, duket se do të jeni një prej 140 deputetëve të Kuvendit të ri. E konfirmoni fitoren?
Jam fitues. Forca që unë përfaqësoj, Partia Kristian Demokrate ka marrë një mandat deputeti në qarkun Shkodër. Nuk është konfirmuar ende nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por nga rezultatet e certifikuara nga KZAZ-ja, unë kam siguruar 6500 vota në rang qarku.
E prisnit fitoren?
Patjetër që e prisja, pasi unë gjithmonë e kam mbështetur zonën dhe kam kontribuar e investuar në shumë fusha, sidomos në sport.
Si shkoi procesi i votimit dhe më pas i numërimit në qarkun Shkodër?
Procesi i votimit, ishte mëse normal dhe korrekt. Gjatë numërimit janë shënuar incidente të vogla, mes të tjerash, përplasjet mes përfaqësuesve të dy partive të mëdha politike.
Cili ishte personi i parë që iu përshëndeti për fitoren?
Përshëndetjen e parë e kam marrë nga lideri për qarkun e Shkodrës, deputeti Tom Doshi.
Po kryesocialisti Edi Rama, ju ka përshëndetur për fitoren dhe kontributin që keni dhënë për koalicionin e majtë?
Akoma jo. E pres përshëndetjen prej tij, për sa kohë jam kontribuues në koalicionin e majtë, duke sjellë mijëra vota nga e djathta, forcë politike nga e cila vij.
Ju keni qenë pjesë e së djathtës. Përse u ‘divorcuat’ me PD-në?
Divorci me PD-në erdhi për shumë arsye dhe unë po përmend dy-tri prej tyre. E para, kriza e thellë ekonomike ku ishte zhytur vendi, dhe e dyta, fakti që PD-ja kishte në duar të gjitha pushtetet, gjë që është e papranueshme për një demokraci.
Si e bindët elektoratin t’ju votëbesonte?
Unë vij nga një familje e thjeshtë, punëtore, dhe ua di shumë mirë hallet njerëzve. I kam dëgjuar dhe kam qarë hallet me ta. Do t’u jap zgjidhje kur të jetë e nevojshme.
Si do ta përdorni forcën e kartonit tuaj në Kuvend, gjithmonë nëse KQZ përfundimisht certifikon fitoren tuaj?
Unë do të jem kritik ndaj çdo lloj padrejtësie që mund të bëhet nga pushteti ndaj qytetarëve.
Ndiheni keq për faktin se ky mandat do t’i përkiste vëllait tuaj, nëse do të ishte i lirë, pasi emri i tij në të tjera rrethana, do të renditej i pari në listën e PKD-së?
Absolutisht po! Arbeni më uroi nga burgu menjëherë. Por jam i bindur se tani me fitoren e së majtës, drejtësia shqiptare do të jetë e pandikuar nga pushteti dhe do të konfirmohet pafajësia e tim vëllai. Nga ‘çlirimi’ i drejtësisë, banda kriminale në Ministrinë e Brendshme, e udhëhequr nga Agron Kuliçaj, që ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj familjes sime dhe vëllait tim, do të marrin ndëshkimin e merituar. Natyrisht, do të ndëshkohen dhe për vuajtjet që i kanë shkaktuar popullit në këto vite. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›