E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllai i Madh paralajmëron: Përjashtoheni nga BB nëse ushtroni dhunë

Nisur nga konfliktet e fundit, sidomos dhuna verbale e Jetmirit ndaj Klodit, në shtëpinë e “Big Brother” ka mbërritur një zarf i kuq, të cilin e lexoi Erjoni. Në të, Vëllai i Madh i paralajmëronte banorët se do të penalizohen nëse në vazhdim do të vërehet ushtrim dhune në çdo aspekt

Lidhja mes Erionit dhe Bertinës po vihet gjithnjë e më shumë në dyshim. Ata kanë debatuar gjatë, ndërkohë që edhe banorët e tjerë kanë bërë thashetheme për çiftin e vetëm të shtëpisë. Manal ka treguar për zakonet në Jordani, ndërsa Tatiana ka festuar ditëlindjen dhe ka marrë një varëse dhuratë nga Edi. Ndërkohë, Klodi, i pyetur nga Manal, ka treguar për eksperiencat e tij seksuale.

Bertina, Erioni, Miri debatojnë për Oltën dhe Klodin

Në bisedën e Mirit me Bertinën për sjelljen dhe marrëdhënien e banorëve në shtëpi, vjen dhe diskuton edhe Erioni. Ai thotë se në shtëpi disa nga banorët që ata gjykojnë si negativë, për të kanë edhe shumë anë pozitive dhe çdo njeri sillet në bazë të situatës që ndodh. “Mua më ka rezultuar se edhe tek Olta dhe Klodi mund të gjesh shumë gjëra pozitive”, u thotë Erioni. Për Bertinën, Erioni ka këtë mendim, pasi ata e respektojnë më shumë Erionin sesa Jetmirin dhe Bertinën. Erioni i thotë Bertinës se ajo nuk është ulur asnjëherë që të bisedojë me Oltën, prandaj nuk ka marrëdhënie të mira me të. Teksa Erioni dhe Bertina flasin me tone të larta, ndërhyn Jetmiri, i cili i thotë Erionit se ai ka ndenjur shumë pranë Oltës dhe Klodit, u ka kërkuar disa herë që të bisedojnë, por marrëdhëniet me ta nuk i ka të mira. Erioni thotë se një njeri nuk mund ta gjykosh pa e njohur dhe Bertina i përgjigjet se ajo njeh pikërisht atë që ai person i ka servirur. Jetmiri mbështet Bertinën dhe thotë se ai ka dy muaj dhe nuk ka arritur ta kuptojë Oltën. Bertina i thotë Erionit se ajo nuk ka se si të krijojë një opinion të mirë për Oltën, kur kjo e fundit i flet me ironi vetëm për ta ngacmuar. Bertina e quan Oltën “hipokrite”, për faktin se fillimisht Olta u shtir si shoqja e saj dhe përveçse e nominoi, u shpreh keq për Bertinën. Erioni kundërshton Bertinën dhe vajza i kërkon që të mos e prekë aty ku ajo nuk dëshiron, sepse po e mërzit duke folur për Oltën. Bertina e nevrikosur çohet dhe largohet, ndërsa biseda e Jetmirit me Erionin vazhdon më tej. Ata bisedojnë për marrëdhëniet e Jetmirit me Klodin, ku Erioni i thotë Mirit se marrëdhëniet e tij me Klodin kanë ndryshuar disa herë. Mirit i ka ngelur hatri me lojën që i bëri Klodi, duke e ngacmuar një natë gjatë kohës kur banorët shkuan të flinin dhe kjo bëri që marrëdhëniet mes tyre të përkeqësohen përsëri. Erioni i thotë se ai duhet ta merrte më me sportivitet si një lojë që ishte dhe të mos reagonte me aq agresivitet. Jetmiri i thotë se ai është acaruar vetëm nga fakti që Klodi nuk e kishte sqaruar as ditën tjetër që ajo ishte thjesht një lojë. Erioni thotë që Miri nuk duhet të kapet pas homoseksualitetit të Klodit, ndërsa Miri thotë se ky është problem i Klodit, jo i tij.

Debat midis Erionit dhe Bertinës

Pas një kohe të gjatë bisedash me Jetmirin, Erioni futet brenda dhe fillon që të bisedojë me Bertinën, e cila u largua e nevrikosur nga biseda e tyre jashtë. Bertina i thotë Erionit që të përpiqet të kuptojë një herë të drejtat e tij, pastaj edhe të drejtat e saj. Ajo mendon se Erioni nuk e kupton dhe nuk përpiqet që ta kuptojë, kështu edhe ajo nuk ka përse të mundohet që të kuptojë veprimet dhe sjelljet e tij. Erioni i thotë Bertinës që ajo duhet t’i kërkojë gjërat te vetja e saj, pastaj tek ai, por Bertina nuk është dakord me mendimet që Erioni kërkon t’i imponojë. Erioni i thotë se ai nuk po përpiqet që ta imponojë, por po i kërkon që ajo t’i shikojë më ndryshe gjërat. “Erion, përfundimisht nuk po kuptohemi, prandaj jemi kaq larg nga njëri-tjetri”. Erioni nuk i pranon kritikat që i bën Bertina dhe e kundërshton. Bertina i thotë që mos e vazhdojnë më debatin dhe i lutet që ta lërë vetëm që të qetësohet, sepse është shumë e acaruar. Pas kësaj shprehjeje, Erioni del jashtë duke i thënë që ta kërkojë kur të jetë më e qetë. Pasi pi një kafe, edhe Bertina del jashtë dhe debaton përsëri me Erionin në prani të Kikës dhe Edit. Bertina i thotë se pas saj ekziston një person tjetër që mund t’i plotësojë kohën e mbetur Erionit, por ai shprehet që ajo duhet të jetë e bindur se ai nuk ka për ta zëvendësuar atë me një vajzë tjetër brenda shtëpisë së BB. Pas disa minutash bisedash të ndryshme me banorët e tjerë, Erioni e fton Bertinën që të kërcejnë me muzikën në sfond. Të dy çohen të kërcejnë të përqafuar, ndërsa banorët i ngacmojnë, duke iu referuar debatit që ata patën disa minuta më parë dhe bëjnë komente për ndjenjat e tyre.

Klodi: “Kam pasur marrëdhënie edhe me vajza”

Tatiana i kërkon Klodit që t’i bëjë masazh dhe të dy shkojnë në dhomën e gjumit. Aty është edhe Manal dhe nisin të bisedojnë. Manal e pyet Klodin për jetën e tij, kryesisht në lidhje me seksualitetin. Vajza e pyet se kur e ka kuptuar se ishte homoseksual, pasi kur është deklaruar në BB, homoseksualiteti është komentuar si diçka e lindur. Klodi i thotë se është e vërtetë që homoseksualiteti është diçka e lindur, të cilën ai e ka vënë re te vetja e tij në adoleshencë. Tatiana e pyet nëse ka pasur ndonjëherë marrëdhënie me femra. Klodi i thotë se ai ka qenë i lidhur me një vajzë italiane për një kohë të gjatë, duke përfshirë edhe marrëdhëniet seksuale në këtë lidhje. Ai thotë se ka pasur marrëdhënie me më shumë se dy vajza, por ajo ishte periudha kur ai ishte i pasigurt për prirjet e tij seksuale dhe për hir të opinionit mundohej që ta sforconte veten. Manal e pyet se si ai e kuptoi që i pëlqenin meshkujt dhe Klodi thotë se e kuptoi kur filloi që të pëlqente fizikun e një mashkulli. Manal e pyet nëse ai mendon që të ketë një familje dhe Klodi i thotë se ai familjen e sheh si diçka shumë të rëndësishme, por për vete nuk e sheh si të domosdoshme. Tatiana e pyet nëse Klodi është dakord me ligjin që lejon martesat mes personave homoseksualë dhe ai thotë se nuk është kundër këtij ligji, por nuk e ka menduar ndonjëherë që të martohet me dikë. “Që të martohesh nuk do të thotë gjithçka, për mua mjafton dashuria mes dy personave”, thotë Klodi. Ai tregon se për momentin nuk ka marrëdhënie me asnjë person tjetër, por në të kaluarën ka pasur disa parterë italianë, por edhe shqiptarë. Tatiana e pyet se në çfarë moshe Klodi ka pasur për herë të parë marrëdhënie me një mashkull dhe ai është përgjigjur se në moshën 17-18 vjeçare ka pasur marrëdhënie me femra dhe në moshën 19-vjeçare ka pasur kontaktin e parë me një mashkull. Të tre diskutojnë edhe për mentalitetin shqiptar, i cili nuk e pranon homoseksualitetin. Manal i thotë se është e drejtë që nuk e pranojnë këtë gjë, duke thënë se edhe ajo nuk e pranon dhe i kërkon Klodit një shpjegim që të bëjë që ajo dhe shoqëria shqiptare të ndryshojnë mendim. Klodi i thotë se ai nuk mund të shpjegojë ndjenjat, por thjesht e ndjen një gjë të tillë. Klodi thotë se homoseksualët janë njerëz si gjithë të tjerët dhe e vetmja gjë ndryshe janë dëshirat e tyre seksuale dhe Manal i thotë se pyetjet e saj kishin qëllim që të kuptonte se si ndjehet një njeri gay dhe jo se si është ai, njeri i mirë apo i keq.

Paralajmërim për banorët

Teksa banorët luajnë dhe komentojnë lojën e tyre, Erioni vjen nga dhoma e rrëfimit me një zarf të kuq në dorë. Ai ua lexon atë të gjithë banorëve. Zarfi i dërguar nga Vëllai i Madh, këtë herë ka në përmbajtjen e tij një paralajmërim për të gjithë banorët e shtëpisë. Ky vendim ka ardhur si rezultat i zënkave dhe debateve të forta mes banorëve kohët e fundit. Duke marrë shkas nga kërcënimet dhe dhuna verbale e ushtruar nga Jetmiri në drejtim të Klodit gjatë debatit të fundit mes tyre, Vëllai i Madh ka vendosur që t’i paralajmërojë banorët se, në rast se ndonjëri nga ata do të ushtrojë dhunë, kërcënojë apo do të bëjë veprime që mund të prishin edhe komunikimin në shtëpi, do të merren masa deri në largimin përfundimtar nga ky “reality show”. Banorët, pasi dëgjojë paralajmërimin, ngelen pa fjalë të gjithë nga ky zarf, duke qëndruar për disa minuta në heshtje.

Manal tregon për zakonet në Jordani

Pas ngrënies së darkës, Manal dhe Erioni merren me larjen e enëve. Erioni e pyet vajzën për jetën në Jordani, për fenë dhe martesat. Manal tregon se ajo vjen nga një vend që i përket besimit islam dhe në shoqëri veprohet sipas ligjeve të fesë. Kështu ajo tregon se si janë martesat me shumë gra nga ana e meshkujve dhe e pyetur nga Erioni, tregon se si duhet të sillen gratë përpara burrit dhe se si ky i fundit duhet që t’i trajtojë të gjitha gratë e veta. Manal thotë se burrat në Jordani kanë të drejtën që të martohen me deri në katër gra, dhe ai duhet t’i trajtojë njëlloj të katërta. Ajo thotë se në Jordani femrat nuk vishen me perçe dhe nuk mbulohen me shami si në disa vende të tjera myslimane. Më pas Manal bisedon me Klodin dhe Oltën dhe tregon për familjen e saj. Ajo thotë se ka gjatë motra dhe gjashtë vëllezër. Ajo thotë se babai i saj jeton në Jordani me gruan tjetër që ka atje. Ajo tregon se ka pasur lidhje me një djalë nga Kosova para dy vjetësh dhe se ka punuar në një internet si operatore.

Ditëlindja e Tatianës dhe dhurata e Edit

Tatiana, banorja e re e BB-së, që vjen nga Italia, kishte ditëlindjen. Banorët e urojnë, por ndryshe nga ditëlindjet e kaluara, në shtëpi atmosfera është më e ftohtë. Edi pasi e uron Tatianën, i jep asaj edhe një dhuratë, e cila ngjall diskutime dhe dyshime te banorët e tjerë. është një varëse që Edi e kishte pasur në çantën e rrobave, që iu bën dhuratë nga BB. Tatiana e merr varësen dhe e var në qafë, duke ua treguar edhe banorëve të tjerë. Ata e ngacmojnë vajzën me shaka, duke i thënë se dhurata duhet ta ketë një domethënie. Krejt ndryshe paraqitet kjo ngjarje tek Olta, e cila mbushet me dyshime për dhuratën e Edit. Ajo mendon se varësen ia ka parë më parë një banori tjetër në shtëpi. Kështu ajo fillon dhe pyet të gjithë se kujt i përkiste ajo varëse. Olta mendon se atë varëse ia ka parë Adës dhe është e shqetësuar, pasi është ajo që po kujdeset për bizhuteritë e saj. Olta thërret Edin, i cili po pi cigare jashtë, dhe e pyet se ku e gjeti varësen që i dhuroi Tatianës për ditëlindje. Edi i thotë se ajo ishte pjesë e dhuratave që mori Edi pas spektaklit të së shtunës. Pasi sqarohet, Olta i thotë se mendoi se varësja i përkiste Adës, prandaj e pyeti.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›