Vëllai i viktimës njeh vrasësin

Viktima Gjin Guri
SHKODER/ Djemtë nuk ruheshin pas krimit të kushëririt të tyre. Gjaku te djali i vogël i familjes.
Policia: Prova të forta se Lazër Lisi vrau Gjin Gurin.
Ka prova të pakundërshtueshme që Lazër Lisi është autori i vrasjes së emigrantit 22-vje-çar, Gjin Guri. Policia e Shkodrës pohoi dje se ka arrestuar personin që kreu vrasjen dhe plagosi vëllanë e Gurit, bazuar në dëshmi dhe fakte të mbledhura menjëherë pas krimit. I ndaluari 21-vjeçar, i cili u kap 2 orë pas vrasjes në fshatin Bardhaj të Shkodrës, ka mohuar gjatë gjithë kohës se është autori. Por, kjo është rrëzuar nga deklarimet e të mbijetuarit Xhevahir Guri, vëllait më të madh të viktimës. Ai ka deklaruar për grupin hetimor se ka pikasur disa herë Lisin para se të kryhej vrasja e të vëllait të vogël, por nuk e ka menduar se çfarë kishte në plan ai. Të dyja familjet janë fqinje mes tyre dhe që nga momenti kur kushëriri i djemve Guri kishte bërë krimin, nuk kishin marrë paralajmërim për gjakmarrje. Por, mbrëmjen e së enjtes ka ndodhur e papritura fatale, duke i marrë jetën njërit prej djemve të familjes Guri dhe rrezikuar tjetrit. Policia, bazuar në rrëfimet e dëshmitarëve, thotë se veç të arrestuarit, në krim ka bashkuar dhe një person tjetër, ende i paidentifikuar. Burime të grupit hetimor nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se, krahas dëshmisë së vëllait të plagosur të viktimës, janë edhe disa dëshmi të tjera të banorëve të zonës në Bardhaj që kanë identifikuar Lazrin si autorin kryesor të vrasjes. Atyre u janë bashkuar provat shkencore të gjetura në vendin e krimit. Gjurmët e lëna në vendin e ngjarjes, sipas hetuesve, provojnë ligjërisht dhe shkencërisht se Lazër Lisi është i dyshuari kryesor i vrasjes së 22-vjeçarit Guri. Dyshohet se para se të qëllonte me breshëri në drejtim të vëllezërve, Lazër Lisi ka qenë në ndjekje të tyre, derisa ka gjetur dhe momentin e përshtatshëm. Ai i ka gjetur të dy vëllezërit brenda oborrit të shtëpisë. Nisur nga intensiteti i goditjes dhe plumbave të marrë në trup, dyshohet se shënjestra e gjakmarrjes të ketë qenë 22-vjeçari Gjin Guri. Ekspertët kanë gjetur 8 predha në trupin e tij, të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ndërsa i vëllai 24-vjeçar ka pasur vetëm 2 plagë në krah, por jo të rrezikshme. Ky i fundit pasi ka marrë ndihmën e parë pas dy orësh ka lënë spitalin dhe është kthyer në shtëpi. Nuk dihet ende pse gjaku është kërkuar te familja e kushëririt të Petrit Gurit, i cili katër vjet më parë vrau vëllanë e Lazër Lisit dhe pikërisht te djali i vogël. Pritet që pas ceremonisë mortore të merren në pyetje për të dhënë sqarime të mëtejshme familjarë të të dyja palëve.
Policia, nën kontroll fshatin
Duke qenë se dy familjet Guri dhe Lisi ndodhen në të njëjtin fshat, vetëm 100 metra larg njëra-tjetrës dhe i ndan vetëm një rrugë fshati 9 metra e gjerë, Policia e Shkodrës ka marrë masat për ruajtjen e tyre. Gjatë gjithë paradites së djeshme, forca të shumta policie, me uniformë dhe civilë, kanë mbajtur nën vëzhgim banesat e familjes Lisi, me qëllim evitimin e ndonjë hakmarrjeje të mundshme nga pjesëtarët e fisit Guri. Dyert dhe dritaret e banesave të tyre qëndrojnë të mbyllura. Ndërsa në familjen Guri mbretëron zija. Ceremonia mortore për të riun do të mbahet paraditen e sotme, pasi sipas zakonit i vdekuri mbahet 24 orë në shtëpi.
SHKODER/ RITVAN DIBRA