Tiranë, kërkohet në xhami i arratisuri nga burgu

I arratisuri nga burgu, Astrit Dervishi
TIRANE – Policia e kryeqytetit e kërkon në xhami personin e arratisur nga burgu. Forcat e rendit janë vënë në ndjekje të Astrit Dervishit që prej tri ditësh, kur ai theu lejen e burgut duke u arratisur, dhe ende nuk kanë arritur të gjejë ndonjë gjurmë të tij. Informacionet e fundit që i janë transmetuar Policisë nga dëshmitarë të ndryshëm që e njohin Dervishin edhe para se ai të arrestohej vitin e kaluar, i kanë orientuar kërkimet drejt zonave pranë xhamive të Tiranës. Ata kanë deklaruar se pavarësisht krimeve që ka kryer, rasteve kur është arrestuar e dënuar, 24-vjeçari ishte besimtar i devotshëm mysliman, madje falej çdo të premte në xhami. Ai sipas dëshmive preferonte për tu falur xhaminë që ndodhet pranë Urës së Tabakëve, madje atje ka mjaft persona që e njohin dhe e kanë parë që shkonte të premteve. Këto deklarime janë marrë me seriozitet nga ana e Policisë, duke u krahasuar edhe me një informacion të dy ditëve më parë, kur një person deklaroi se e kishte parë Astrit Dervishin në zonën e Freskut, në Tiranë. Të dyja informacionet kanë të përbashkët faktin që ai është besimtar mysliman. Edhe të enjten një shitëse, në një dyqan në zonën e Freskut, tha se një person i ngjashëm me Astrit Dervishin, i shoqëruar nga një adoleshent, kishin blerë në dyqanin e saj bukë, djathë dhe sallam. Sipas shitëses, djali që ngjante me Dervishin kishte këmbëngulur që sallami të mos ishte me mish derri dhe ky fakt i kishte bërë përshtypje. Pasi ishte siguruar që nuk kishte përbërje mishi derri, ai kishte paguar 500 lekë të rinj dhe kishte dalë duke u zhvendosur vetëm pak metra larg dyqanit dhe bashkë me shoqëruesin e tij, kanë ngrënë bukë në disa stola që ndodheshin aty. Astrit Dervishi, i cili po vuante dënimin për vjedhje, i dënuar më parë edhe për vepra të tjera penale, u largua pasditen e së mërkurës nga shtëpia e motrës së tij në fshatin Shalqizë të Tiranës. Në orën 13:00 të së mërkurës ai duhej të kthehej në Burgun 325 të Ali Demit, pasi përfundonte lejen 5-ditore.