Zjarret shkretojnë Parkun e Lurës
DIBER Plot 8 vatra zjarri janë aktive në qarkun e Dibrës, pjesa më e madhe e tyre në Parkun Kombëtar të Lurës dhe rrethinat e kësaj krahine. Dëshmitarë okularë shprehen se tani flakët e zjarrit po përpijnë edhe masivin e mbetur në park, atë të liqenit të Brucit. Pyje me pisha, ah e bredha disavjeçarë janë shkrumbuar ndërkohë që vazhdon djegia në Kunorë të Lurës, Tollë, Zallë-Gjocaj, Fusha e Pelave, Kroj i Bardhë, Mbas Deje e Gjurra në Trung. Banorë dhe këshilltarë të komunës Lurë shprehen se nuk ka asnjë interesim për shuarjen e zjarreve, ndërkohë që dëmi ekonomik mendohet në miliona dollarë. Për shkak të zjarreve të fuqishme blegtorët, që ishin ngjitur në male për verim, janë detyruar të kthehen në fshatrat e tyre. Ende policia nuk ka ndaluar persona të caktuar për zjarrvënie të qëllimshme. h.p.