Hapet konkursi për rektor të Universitetit të Prizrenit

Javën e ardhshme hapet konkursi për rektor të Universitetit Publik të Prizrenit, njoftoi sot ministri i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, Enver Hoxhaj.
Në mbledhjen e Qeverisë, Hoxhaj njoftoi për hapat që ka ndërmarrë deri më tash Qeveria për themelimin dhe funksionalizimin e universitetit të dytë publik në vend.
”Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë një buxhet prej 3 milionë për këtë vit sa i përket themelimit, funksionalizmit të Universitetit të Prizrenit, buxhet i cili do të përdoret edhe për paga për stafin e ri”, deklaroi ministri Hoxhaj.
Gjithashtu, tashmë është caktuar lokacioni, një hapësirë prej 11 hektarësh, ku do të ndërtohet universiteti. Sipas Hoxhajt, Universiteti Publik i Prizrenit synon të krijojë partneritet me shumë universitete të vendeve perëndimore, ndërkohë që tashmë janë definuar fushat e studimit që do të ofrojë ky universitet.