Deti nxjerr një trup të pajetë, dyshohet marinar i anijes turke
Ky është trupi i katërt që del në sipërfaqe pas mbytjes së anijes ‘Reina 1’ dhe humbjes së tetë marinarëve turq. Dy trupa u gjetën në Kroaci, ndërsa dy ditë më parë u gjet një tjetër në Durrës
Kufoma e një tjetër njeriu është gjetur mëngjesin e së enjtes në Adriatik, ndërsa dyshohet se ai është një nga marinarët e anijes tregtare ‘Reina 1’, që u mbyt pasi u përplas me një traget pak milje larg Durrësit. Salla operative e shërbimit policor në Durrës është njoftuar nga peshkatarë durrsakë për konstatimin e një kufome në det të hapur, rreth 300 metra larg bregut të detit, në zonën e ‘Bishtit të Pallës’.
Me të marrë njoftimin, një skaf i policisë kufitare dhe një mjet i Rojës Bregdetare kanë shkuar drejt koordinatave të deklaruara për verifikimin e rastit dhe nxjerrjen e trupit nga uji. Pas afro 2 orë kërkimesh, pasi trupi është zhvendosur nga dallgët, autoritetet kanë mundur të nxjerrin në breg kufomën e një personi të seksit mashkull.
Ai është rreth moshës 35-40 vjeç, 172 cm i gjatë dhe mban të veshura vetëm një palë xhinse. Sipas policisë, mendohet të jetë shtetas joshqiptar, duke iu referuar karakteristikave të pamjes. Trupi do t’i nënshtrohet ndërkohë ekspertizës mjeko-ligjore. Ashtu si dhe për kufomën e gjetur në bregdetin e Kallmit dy ditë më parë, edhe në këtë rast dyshohet se trupi i përket njërit prej marinarëve turq, anëtarë të ekuipazhit të anijes tregtare “Reina 1”. Po ashtu edhe kufoma e gjetur të mërkurën në zonën e Kallmit ka mbetur ende e paidentifikuar. Nga verifikimet e kryera, trupi i pajetë nuk ka pasur ngjashmëri me ndonjë nga personat që deklarohen të larguar a të zhdukur nga familjet e tyre. Ky fakt ka përforcuar dyshimin se kufoma mund t’i përkasë njërit prej tetë marinarëve që u zhdukën në ujërat e Adriatikut, pas mbytjes së “Reina 1” gjatë përplasjes me tragetin “Ankara” të linjës Durrës-Bari, natën e 19 tetorit.
Autoritetet kanë kontaktuar me ambasadën e Turqisë në vendin tonë, për të dhënë dyshimet e tyre dhe kërkuar asistencë për identifikimin. Nëse identifikimi i trupave në morg do të jetë i pamundur përmes krahasimit me fotot ende të munguara të ekuipazhit turk, atëherë rruga e vetme do të jetë kryerja e analizës së ADN-së. Anija tregtare që transportonte drithë për në Malin e Zi dhe vinte nga Rusia, u mbyt pas përplasjes me një traget në afërsi të brigjeve shqiptare. Vetëm dy kapitenë mundën të dilnin gjallë pas katastrofës, ndërsa 8 të tjerë u shpallën të humbur.
Dy marinarët e mbytur turq u gjendën në Kroaci
Autoritetet portuale kroate kanë lajmëruar homologët e Durrësit se kanë gjetur 2 kufoma në ujërat detare të territorit të tyre, në afërsi të Dubrovnikut. Nga hetimet paraprake dyshohet se kufomat i përkasin ekuipazhit të anijes turke ‘Reina 1’, e cila më 20 tetor të këtij viti u përplas tragjikisht me tragetin ‘Ankara’, rreth 20 milje nga bregu i Durrësit. Lajmi konfirmohet nga autoriteti portual i Durrësit, drejtuesit e të cilit thonë se është njoftuar dhe ambasadori turk në Shqipëri, i cili menjëherë pas lajmit është nisur drejt Kroacisë për të bërë të mundur identifikimin e trupave. Anija ‘Reina 1’ mëngjesin e 20 tetorit u fundos 10 milje nga bregu i detit, pasi u përplas me tragetin me pasagjerë ‘Ankara’, i cili po udhëtonte nga Durrësi drejt Barit. Bilanci i tragjedisë detare shënoi 2 pjesëtarë të shpëtuar nga ekuipazhi prej 10 personash i anijes tregtare turke, ndërkohë që 8 persona pas kërkimeve intensive u deklaruan të zhdukur.