E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vëllezërit Palacios shkruajnë historinë

Hondurasi është bërë ekipi i parë në një Kampionat botëror që përmban në ekip tre vëllezër, pasi ftoi në skuadër të martën futbollistin Jerry Palacios. Ai iu bashkua vëllezërve Wilson e Johnny në Afrikën e Jugut, pas lëndimit të futbollistit të Torinos, Julio Cesar de Leon.

Sulmuesi Jerry, 29 vjeç, luan për ekipin kinez Hangzhou Greentown, Johnny (24) për Olimpia në Honduras, derisa Wilson (26) është pjesë e ekipit anglez Tottenham Hotspur.

Ekipet mund t’i zëvendësojnë futbollistët vetëm 24 orë përpara ndeshjes së tyre hapëse. Hondurasi e bëri zëvendësimin të martën, një ditë përpara debutimit të tyre në Grupin H kundër Kilit. Vëllezërit Palacios vijnë nga qyteti La Ceiba në Honduras.

Wilson, më i njohuri nga treshja, kishte pësuar një tërheqje muskulore, por ai nuk e rrezikon Botërorin. “Ai është i gatshëm 100 për qind dhe shihet se është gati për këtë kompeticion”, ka thënë asistent trajneri i Hondurasit, Carlos Velasco.

Treshja Palacios do ta nderojnë familjen e tyre tri vjet pasi vëllai i tyre më i ri, Edwin, ishte kidnapuar në trazirat politike në vendin e Amerikës Qendrore. Ndonëse ishin paguar 150 mijë dollarë për lirimin e tij, trupi i pajetë i Edwinit ishte gjetur në një zonë rurale.

“Çdo gjë që bëj në futboll është për Edwinin. Ai po më shikon mua”, u ka thënë reporterëve Jerry Palacios pas arritjes së tij në Afrikën e Jugut. Hondurasi është pjesëmarrës për herë të dytë në një botëror. Ky ekip modest bën pjesë në Grupin H, bashkë me Spanjën, Zvicrën dhe Kilin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›