E Diel, 1 Nëntor 2026

Venanzio Lozi, historia e kirurgut që u dënua për arkivolin me florinj

 

Ferdinand Dervishi

“Ishte një thikë e florinjtë, e ngulur në barkun e kufomës, veçse jo në drejtimin e zakonshëm, por në të kundërt. Maja vezulluese e thikës kishte depërtuar nga brenda barkut, jashtë tij...” Pak a shumë në këtë formë e ka paraqitur Ismail Kadare, në një nga krijimet e veta, këtë detaj, për të cilin mbase pakkush e dinte në ishte pjellë e imagjinatës brilante të shkrimtarit të madh, apo i marrë nga një ngjarje reale. Është kjo e dyta. Dhe e vërteta thotë se detaji i përdorur nga Kadareja ka lidhje me një ngjarje të ndodhur në Shqipërinë e traumatizuar të vitit 1946. Pa u futur në hollësira, pa përmendur emra, shkrimtarit i ka bërë përshtypje duket, më shumë sesa rrethanat e personazhet, pikërisht pamja makabre e përftuar; një arkivol, një kufomë, një thikë e florinjtë, ngulur në barkun e saj, në sens të kundërt... Duke e lënë gjithçka enigmë. Kështu ka të ngjarë të ketë qenë gjithsesi. Ka të ngjarë, pasi lakimi i gjenealiteteve të personazhit real të ngjarjes mund të hapte një kapitull më vete dhe këtë Kadareja duket ta ketë nuhatur në kohë. Pasi ky identitet  mund të rrinte në mënyrë jo komode pranë ngjarjes ku ishte përfshirë. As më pak dhe as më shumë personazhi që ka lidhje me këtë ngjarje reale ishte një italian, që ato kohëra e zunë mat brenda kufijve shqiptarë. Quhej Venanzio Lozzi, me titull Profesor dhe kishte saktësisht atributet e kirurgut më të famshëm të mjekësisë shqiptare dhe që gëzonte një popullaritet të pazakontë, kryesisht në zonën e Tiranës. Aq i madh ishte popullariteti, sa emri i tij, në formën e përshtatur “doktor Losi” kujtohet edhe sot nga të moshuarit e mëhallave të Tiranës, ndërkohë që në asnjë rast ish të persekutuarit e komunizmit nuk e lënë pa e përmendur në evenimentet që organizojnë.
Italiani i njohur
Ndërsa historia e Profesor Venanzio Lozzi-t, ish-kirurgut të Spitalit të Përgjithshëm Civil dhe konsulentit të Spitalit Ushtarak, është vërtet tragjike. Ajo ka lidhje shumë me instalimin e komunizmit shqiptar, po aq sa edhe me izolimin e vendit, duket të nisur që në embrion të formimit të shtetit të ri. Detajet për historinë e tij deri dje vetëm kishin kaluar gojë më gojë, thuhej se kishte lidhje me floririn e dërguar ilegalisht në Itali, por përforcohej se nuk ishte pikërisht kjo arsyeja që u dënua me vdekje. Pra askush nuk e njihte të saktë historinë e më shumë se 60 viteve më parë dhe kujtimi i personazhit të tij do të lakohej përherë e më rrallë si “doktor Losi”, nëse fati nuk do e sillte që diku në arkivat e shumtë të këtij shteti të mos gjendej një dosje e vjetër, shumë e vjetër... Në faqet e vendimit të Gjykatës Ushtarake të Tiranës të datës 3 gusht 1946, që e dënon Venanzio Lozzi-n me pushkatim, thuhet se Profesor Venanzio Lozzi është i biri i Andreas dhe Antonina Tecca-s, lindur më 1 dhjetor 1900 në Fagnano Alto të Aquilla-s në Itali, se banon në Tiranë, se është kirurg i Spitalit të Përgjithshëm Civil dhe konsulent i Spitalit të Përgjithshëm Ushtarak, se ka arsim të lartë dhe se është i martuar me tre fëmijë. Ndërsa “krimi” i konsumuar nga Profesori ka lidhje me një sasi floriri të sekuestruar në momentet kur u tentua të nisej në Itali fshehur në arkivolin e një kufome si dhe me ndihmën dhënë disa specialistëve italianë për t’u arratisur në atdheun e tyre. Sepse jo vetëm shqiptarët janë arratisur nga Shqipëria komuniste.
Profesor Lozzi kishte mbërritur në Shqipëri për të ushtruar profesionin e tij të kirurgut, të paktën sipas dokumenteve të gjyqit ushtarak, rreth një muaj pas pushtimit italian në Shqipërisë më 7 prill 1939. Lipset thënë se të gjithë specialistët italianë të mbërritur në Shqipëri, të cilët ishin jashtë strukturave ushtarake, ishin nën kujdesin e Francisko Jakomonit, mëkëmbësit të Mbretit Viktor Emanuel, që ishte njëkohësisht edhe Perandor i Shqipërisë së okupuar. Për të mbrojtur interesat e tyre specialistët italianë kishin krijuar ndërkohë në Shqipëri Komitetin e Asistencës për Italianët (Comitato di Assistenza fra gli Italiani), kreu i të cilit ishte njëfarë Simoncini. Pikërisht, sipas akuzës, Lozzi ka pasur dijeni për transportin e paligjshëm në drejtim të Italisë të një sasie prej 1000 napolonave flori që ishin në pronësi të Simoncinit. Më tej akuza thotë se i njëjti, pra Doktor Lozzi, ka lidhje me dërgimin e një sasie të madhe floriri në drejtim të Italisë të fshehur në arkivolin e komandantit partizan të batalionit “Antonio Gramshi”. Këtu të dhënat në vendimin e Gjykatës Ushtarake të Tiranës përputhen me përshkrimin makbethian të Kadaresë, të thikës në florinjtë ngulur në sens të kundërt në barkun e kufomës. Saktësisht floriri sipas të gjitha burimeve duhet të ketë qenë i fshehur në barkun e kufomës, ndërkohë që ai nuk ka qenë as i vjedhur as i grabitur, por thjesht ishte pjesë e kursimeve të specialistëve italianë që punonin në Shqipëri. Një e vërtetë që shpjegohet me faktin se pothuaj të gjithë këta specialistë kanë qenë të superpaguar, ndërsa mjekët kuptohet se kapnin kreun e vlerësimit financiar. Dëshmitarë të ndryshëm kanë pohuar se të paktën vetë Lozzi, për operacionet e kryera përgjatë më shumë se pesë viteve shërbim në Spitalin Civil, kishte pasur të ardhura shumë të mira. Por me ardhjen e komunistëve në pushtet, mbërriti në kohë të shkurtër edhe ligji për sekuestrimin e të gjithë floririt, një ligj që parashikonte edhe ndalimin e nxjerrjes së metalit të çmuar jashtë vendit. Në vendimin e Gjykatës Ushtarake të Tiranës thuhet se Lozzi ka pranuar se ka fshehur sasi floriri të italianëve të ndryshëm për t’i shpëtuar konfiskimit që parashikonte ligji.
Pushkatimi me siglën e Hoxhës
Por duket më shumë se historia e floririt, Profesor Lozzi-n e ka konsumuar më shumë përballë komunistëve të Tiranës një tjetër ngjarje. Ajo kishte lidhje me ndihmën e dhënë për arratisje jashtë vendit disa kolegëve të tij, edhe këta specialistë italianë, të mbetur në Shqipëri, pas marrjes së pushtetit nga Enver Hoxha. Bllokimin e specialistëve italianë në Shqipëri e kishin kërkuar krerët komunistë të Tiranës menjëherë pas marrjes së pushtetit, duke e justifikuar se ata duheshin për të rindërtuar ekonominë e vendit. Për fat të keq të italianëve të shumtë të mbetur brenda kufijve, ata “u shitën” edhe nga krerët e qeverisë së tyre në Romë. Kjo sepse Enver Hoxha arrin të nënshkruajë më 14 mars 1945 një marrëveshje me zv/ministrin italian të Luftës, Mario Palermo, pikërisht në dëm të këtyre specialistëve. Sipas marrëveshjes, Hoxhës i lihej dorë e lirë të lejonte në mënyrë selektive riatdhesimin e tyre. Më saktë, marrëveshja thoshte se specialistët italianë, në formë dënimi për krimet e fashizmit, duhet të vazhdonin të punonin për rindërtimin e Shqipërisë së shkatërruar nga lufta. Por kohët e vështira të mbërritura, gjyqet që përfundonin me pushkatime masive, pasiguria për të nesërmen, duket i mbledh bashkë në ditë të keqe specialistët italianë, të cilët organizohen për t’u arratisur në Itali me mënyra të ndryshme. “I pandehuri Prof. Venanzio Lozzi ka marrë pjesë aktive në organizimin e arratisjes së grupit të parë të italianëve përbërë nga Canavese, Collessanti, Morgante dhe Saraceni. Për organizmin e këtij plani pranon të bëjë në shtëpinë e tij mbledhje ilegale dhe vihet në dispozicion të tyre me gjithë makinën e tij...”, - shkruhet në vendimin e dënimit. Pra sipas akuzës, Profesori është kujdesur dhe munduar me të gjitha mënyrat që, përkundër ligjeve të reja të shtetit komunist shqiptar, të ndihmojë miqtë e vet në arratisjen e tyre në drejtim të shtetit amë. Por tentativa e dytë e arratisjes së një grupi të dytë, në përbërje të së cilit ishte edhe Profesor Lozzi, dështon. Protagonistët arrestohen dhe dërgohen para Gjykatës Ushtarake të Tiranës. Edhe pse në këtë kohë ishte ende në këmbë institucioni i avokatisë, mbrojtësit ligjorë të Profesor Lozzi-t dhe të italianëve të tjerë dështojnë në mënyrë shembullore përballë arrogancës së gjykatësve. Vendimi i dënimit me vdekje nuk kursen pikërisht Profesor Venanzio Lozzi-n si dhe një bashkëpunëtor të afërt tijin, të quajtur Salvatore Gombia. Për çudi edhe pse Gjykata Ushtarake e Tiranës e akordon dënimin më 3 gusht 1946, edhe pse Gjykata e Lartë nuk i lëviz asnjë presje këtij dënimi 13 ditë më pas, më 16 gusht 1946, përsëri ekzekutimi nuk mund të kryhej. Nuk mund të kryhej sepse nevojitej edhe firma e Enver Hoxhës me cilësinë e Ministrit të Mbrojtjes Kombëtare dhe Komandantit Suprem. Një firmë që është lëshuar çuditërisht në të njëjtën ditë me vendimin e Gjykatës së Lartë, pra më 16 gusht 1946. Shkresa e Enver Hoxhës përfundon me fjalët: Njoftoni datën e ekzekutimit dhe fjalët e tyre të fundit. “Jam në duart tuaja, mundësisht të më falni...”, shkruhen në dokumentin përkatës fjalët e fundit të kirurgut të shquar, emrin e të cilit, në formën “doktor Losi”, shqiptarët do e kujtonin me respekt edhe pas më shumë se 60 vitesh të shkuara. Për ironi të fatit në Shqipërinë e mëtejme, të mbyllur pas telave me gjemba, akuza për tentativë të kalimit të kufirit nuk shkoi më kurrë në dënim me vdekje. Natyrisht nëse protagonistët arrinin t’u shpëtonin plumbave.

Historia e batalionit, në kufomën e komandantit të të cilit u fsheh floriri

Batalioni “Antonio Gramshi” që përmendet në akuzën ndaj Venanzio Lozzi-t u krijua në 9 tetor 1943 dhe përbëhej nga ish-ushtarakë italianë, që pranuan të luftonin kundër nazistëve në mbështetje të formacioneve ushtarake shqiptare. Efektivi i tij në krijim arrinte numrin 137 luftëtarë. Italianët i zgjodhën vetë drejtuesit e batalionit të tyre. Komandant u zgjodh nënoficeri Tercilio Kardinali, komisar politik Alfredo D`Angelo, nënkomandant Xhuzepe Montin kurse zëvendëskomisar Dominiko Bogatain. Ndërsa përfaqësuesi shqiptar në këtë batalion, anëtar i shtabit të tij, quhej Sami Kotherja. Komandanti i batalionit, T. Kardinale, u vra në luftimet që zhvilluan në fshatin Çerenec të Dibrës, më datën 8 korrik 1944. Pas çlirimit batalioni u kthye në brigadë dhe më tej në divizion. Në muajin maj 1945, më në fund, kjo njësi ushtarake me kombësi italiane, në marrëveshje me qeverinë italiane të pasluftës, u riatdhesua në Itali, e përcjellë me një ceremoni të posaçme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›