E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja e policit të vrarë, strehë në spitalin e Kukësit

 

KUKES / JONUZ HALLAÇI

Një dhomë në katin e dytë të spitalit pediatrik në qytetin e Kukësit është prej 1 jave shtëpia e dhimbjes për fëmijët, gruan dhe të afërmit e policit të vrarë, Ramadan Hila. Reparti më shumë se kurrë ndien peshën e dhimbjes, por dhe të humanizmit, pasi në asnjë rast nuk ka ndodhur që 4 fëmijë dhe nëna e tyre shtatzënë të sëmuren me të ftohur nga e njëjta familje. Aq më shumë kur familja është ajo e prekur nga tragjedia e humbjes së babait dhe kryefamiljarit. Misin Braha mjeku pediatër dhe infermieret, këto ditë janë bërë njerëzit e afërt të familjes së policit, që u vra në pritë bashkë me kolegun e tij, Shkëlzen Dobrusha. Të afërmit e tjerë presin ende ngushëllime për vdekjen e 45-vjeçarit. Fëmijët e mitur janë ende të tronditur nga ajo që ka ndodhur. Kushtet e vështira të jetesës ua bëjnë më të rëndë përjetimin e humbjes së njeriut të tyre të dashur. Dhoma e spitalit tashmë është shtëpia e tyre. Me atë ushqim të spitalit e ato pak që kanë mundur të blenë vetë, për Elmira Hilën dhe vajzat e saj kjo është mundësia e vetme e mbijetesës. Por dhe kur të dalin, nuk presin më mirë.
Në fakt, ato nuk kanë shtëpi e as katandi. Puna dhe mundi i të atit në polici prej afro 20 vitesh nuk u siguronte më shumë se bukën e gojës.
Elmira, prej sa ditësh jeni me fëmijët këtu në spital?
Ka shtatë ditë që unë, katër vajzat dhe kunata jemi në këtë dhomë në spitalin e Kukësit. Dy nga vajzat më kanë dalë të ftohura, dy të tjerat janë më mirë. Megjithatë, doktori më tha se duhet të rri në spital derisa të përmirësojnë mirë. Jetojmë shumë larg Kukësit dhe s’kam si vi e shkoj pa u shëruar fëmijët.
Ju dhe fëmijët tuaj nuk keni përfunduar as ceremoninë mortore të njeriut tuaj?
Po, ishte dita e pestë e vdekjes së burrit dhe u detyrova që të vi në spital me urgjencë. Ishin me temperaturë 40 gradë, dhimbje dhe të vjella. Që nga ajo ditë fëmijët nuk kanë shkuar as në shkollë.
Ku keni banuar vitet e fundit?
Dy vitet e fundit kemi banuar në fshatin Shtanë, ku kishte dhe shkollë për fëmijët se në fshatin tonë, në Gdheshtë nuk kishim as shtëpi dhe as shkollë. Është fshati më i largët dhe më i thellë i Kukësit, me pak të ardhura dhe pak banorë. Sot burri më la me jetimë. Nuk kam asnjë të ardhur, as shtëpi, as pronë e as perspektivë për të rritur këta fëmijë jetimë. E vetmja e ardhur ka qenë rroga e burrit tim që tashmë është i vdekur. Fëmijët duan të rriten, të ushqehen, të vishen e të shkollohen. Unë s’kam asnjë mundësi tash për tash për t’i rritur katër vajzat. Pres dhe një fëmijë tjetër, kështu që vështirësitë shtohen.
Nëse dilni nga spitali, ku do të shkoni?
Asgjë nuk di ku të shkoj dhe çfarë të bëj. S’kam asnjë mundësi dhe kusht jetese. Në fakt, nuk kam pasur as përpara, por të paktën kisha burrin dhe fëmijët babanë e tyre.
A ju ka afruar ndokush ndonjë ndihmë për të kapërcyer këtë situatë?
Jo. Unë ka ditë që jam larguar nga shtëpia megjithë fëmijët dhe nuk di a ka shkuar kush atje. Këtu ka qenë një ditë drejtori i policisë, Muharrem Furriku dhe më ka bërë një dhuratë për fëmijët.
Si e mendoni të ardhmen e fëmijëve tuaj?
Unë dua një shtëpi që nuk e kam dhe të jem afër një shkolle në mënyrë që vajzat të shkollohen. Këto duan të shkollohen, do të rriten. Atje në fshat nuk kemi asnjë kusht, as shtëpi, as shkollë, as siguri. Janë të gjitha vajza. Unë dua të bëj një punë se do të rris 5 fëmijë jetimë, të bëj punëtoren qoftë në ndonjë institucion shtetëror. Duhet një shtëpi për këta fëmijë, pranë një shkolle, pensioni i burrit dhe një punë e imja, ndryshe këta fëmijë rrezikohen.
Nga kush e kërkoni këtë ndihmë?
Nga shteti. Se burri im u vra për shtetin. Ai ishte në detyrë. Kishte lënë katër fëmijë në shtëpi dhe gruan, shkoi në shërbim kur ndodhi vrasja. Prandaj i takon shtetit të më ndihmojë.
Cili ka qenë momenti i fundit i ndarjes më bashkëshortin tuaj?
E mbaj mend shumë mirë, (përlotet ajo, fëmijët dhe halla e tyre). Ka qenë ora 7:00 kur ka dalë prej shtëpisë. Te dera ishte vajza e vogël, unë isha jashtë dhe kur u futa brenda e gjeta duke përqafuar vajzën e vogël. Mori elektrikun se ishte terr, se bënte 1 orë në këmbë për të shkuar tek puna. Më pas nuk pata as telefonata, as gjë. Kanë ardhur të afërmit dhe nuk më treguan në fillim derisa mora vesh për gjëmën.
Kishte ndonjë shqetësim përpara?
Jo, nuk ka pasur asnjë lloj shqetësimi. Asnjëherë madje dhe nuk di se si erdhi kjo tragjedi. Më parë ka qenë plagosur në detyrë në vitin 1991 dhe dy muaj ka qëndruar në spitalin e Tiranës, ku ka bërë dhe operacion plastik. U shërua dhe rifilloi sërish punën në polici. Vazhdimisht ka hequr keq se dhe punën e ka pasur larg. Në borë, dimër e verë, ditë e natë në punë se kishte për të mbajtur familjen më të gjitha hallet që ka një familje. Me një rrogë s’kishim ç’të bënim. Tash atë nuk e kemi. Unë kam kunatin dhe vjehrrin, por jemi ndarë prej tre vitesh, edhe ata kanë hallet e tyre. Unë s’kam ku të shkoj po të dal nga spitali.

Fëmijët
Vajza më e madhe, Orjona është në klasën e gjashtë, Blerta në të tretën, Enkeleda dhe Aida në kopsht. E shoqja e Ramadanit pret të lindë dhe një fëmijë, me shpresën se ai do të jetë një djalë.

Mjeku
Misin Braha, mjeku i njohur për humanizmin e tij në gjithë Kukësin dhe që shërben prej 40 vitesh për shëndetin e fëmijëve nuk i ndal edhe ai lotët, teksa shtyn dhjetëra herë derën e vajzave për t’i vizituar. “Këtë kohë kemi pasur shumë raste të gripit. Ka disa ditë që kemi dhe katër fëmijët e policit të ndjerë, Ramadan Hila. Po u shërbejmë ndoshta më shumë se të tjerëve, sepse ata tashmë kanë nevojë për këtë mbështetje. Shëndeti i fëmijëve ka ardhur në përmirësim, por të them të drejtën edhe nuk mund t’i nxjerrim se nuk kanë ku të shkojnë. Ata janë në pikë të hallit dhe unë e di se
s’kanë shtëpi dhe nuk mund t’u them do që të dalin”.

Kryepolici
Drejtori i Policisë së Qarkut të Kukësit, Muharrem Furriku, është ndër njerëzit që duket se e ka vuajtur humbjen e dy punonjësve të policisë, jo vetëm si epror i tyre, por dhe si prind. “Po kryejmë të gjitha veprimet që t’u japim përfitimet në bazë të ligjit, për dy familjet e ish-policëve. Janë 6 rroga të dhëna nga ministri i Brendshëm, dhe familjet e tyre do të trajtohen në bazë të ligjit me pension dhe do të kenë statusin e ushtarakut të rënë në krye të detyrës. Ka dhe interesim nga firma “Bechtel & Enka” për t’u dhënë ndihmë këtyre, e cila do të konkretizohet në ditët në vijim. Ata do të jenë në qendër të vëmendjes sonë dhe shteti do të kujdeset për ta”, thotë Furriku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›