E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet e Kuintit, ndihmë për Mitrovicën

Mitrovicë -Ambasadori i Britanisë së Madhe, Andy Sparks, ambasadori italian Michael Giffoni dhe përfaqësuesi i Zyrës ruse në Prishtinë, Andrei Dronov, kanë qëndruar sot në Mitrovicë ku kanë biseduar me kryetarin e komunës Bajram Rexhepi për aktualitetin politik, me theks të veçantë për procesin e rindërtimit në veri që pritet të fillojë këto ditë. Ambasadorët janë interesuar për rindërtimin dhe shprehën vullnetin e tyre për të ndihmuar në këtë drejtim në emër të vendeve anëtarë të Kuintit, në mënyrë që të shmangen problemet në Mitrovicë.

Ambasadori Sparks ka vlerësuar se është me rëndësi që procesi i rindërtimit dhe kthimit të të zhvendosurve, si një e drejtë elementare dhe e pamohueshme, të bëhet në mënyrë reciproke në të dyja pjesët e qytetit. Ndërsa përfaqësuesi i zyrës ruse, Andrei Dronov, ka theksuar se mënyra më e mirë për tejkalimin e problemeve në këtë drejtim është nëpërmjet bisedimeve me serbët që jetojnë në veri.

Ai tha se për këtë qëllim mund të shfrytëzohen strukturat ndërkombëtare që janë në Kosovë, të cilat janë të gatshme të ndihmojnë. Lidhur me procesin e rindërtimit në veri, kreu i komunës Bajram Rexhepi tha se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet në mënyrë që në Kroin e Vitakut të nis puna fillimisht në pesë shtëpi.

"Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet në mënyrë që të nisim këtë proces me qëllim që të krijohen kushte për jetë normale të njerëzve që jetojnë në kushte të rënda". Rexhepi theksoi se ka dhjetë vjet që shumë familje të dëbuara nga veriu i qytetit jetojnë nëpër strehimore kolektive dhe vende që nuk i plotësojnë as kushtet elementare për jetë.

"Në këtë proces nuk ka kurrfarë prapavije politike. Njerëzit kanë të drejtë të ndërtojnë dhe të jetojnë në pronat e tyre", nënvizoi Rexhepi.

Ai theksoi se nuk do të ketë kurrfarë provokimesh nga askush dhe në pronat ku do të fillojë puna do të jenë vetëm punëtorët dhe familjarët. Gjithashtu Rexhepi tha se në shtëpitë që do të rindërtohen nuk do vendoset askush tjetër, pos familjeve që janë të veriut dhe kanë pronat e tyre atje.

Rexhepi tha se komuna përkrah brenda mundësive të gjithë ata që duan të kthehen në pronat e tyre pa kurrfarë dallimi etnik. Në këtë kontekst, ai tha se komuna është e gatshme të ndihmojë dhe të kërkojë nga Minsitria për Kthim dhe Komunitete që të ndajë fonde për të gjithë serbët që kanë pronat në jug dhe që dëshirojnë të kthehen.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›