Vendet e eurozonës shtyjnë vendimin për Greqinë
Ministrat e financës të Eurozonës kanë shtyrë për më vonë, vendimin final për huanë prej 12 miliardë eurosh për Greqinë, derisa të meren masa më të forta kursimi nga qeveria. Megjithatë ministrat bënë me dije se ata presin që të paguajnë shumën e ndihmës në mes të korrikut. Ministrat diskutuan për paketën tjetër të ndihmës prej 120 miliardë eurosh si dhe zhbllokimin e 12 miliardë eurove nga programi i parë i ndihmës, i përpiluar në vitin 2010. Ndërkohë mijëra njerëz të indinjuar, u mblodhën në orët e vona të së dielës në Syntagma, sheshi ku ndodhet edhe parlamenti i Athinës, për të protestuar kundër strategjisë antikrizë të qeverisë. Një ditë më parë, u shënua edhe e diela e katërt radhazi, kur kryeqytetasit grekë zbresin në shesh për ti thënë “jo” , masave shtrënguese kundër falimetnimit. Të martën pritet që qeveria të përballet me votëbesimin, pasi Kryeministri grek Giorgos Papandreou e shtroi çështjen e votëbesimit në parlament. Greqia ndodhet në një "udhëkryq", tha Papandreou dhe i bëri thirrje parlamentit t`i japë votëbesimin qeverisë së re. Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Nea Dimokratia, Antonis Samaras, njoftoi se nuk do t`i japë votën e besimit Papandreout. Samaras akuzoi Papandreoun se politika e kursimit që ai ka ndjekur nuk ka sjellë rezultate duke thënë se grekët kanë kursyer më kot një vit rresht. Socialistët në pushtet kanë në parlament pak më shumë se gjysma e vendeve, duke patur 155 nga 300 vendet gjithsej.