Vendi i dytë, njëlloj si ai i fundit
Ibrahimoviç flet pas eliminimit nga Kupa e Mbretit dhe diferencës me Realin
Me të vërtetë që nuk ka gjë më të mirë se sa ajo çfarë bëri Barcelona të shtunën në mbrëmje ndaj Seviljes. Edhe pse sulmuesi suedez nuk u shënua në listën e gjatë të golashënuesve, ai ishte shumë i kënaqur me rezultatin. Pasi e panë veten të eliminuar nga Sevilja në “Coppa del Rey” (“Kupën e Mbretit”), Ibrahimoviç & Co nuk e lanë me kaq. Në “Kamp Nou”, të shtunën, ata mbështetën me shpatulla për muri Seviljen, e goditën, e shqyen, e copëtuan, e shkelmuan, me një fjalë e shkatërruan totalisht. Nëse ai i së shtunës nuk ishte futboll, atëherë policia do ta arrestonte Barcelonën për terrorizëm në fushë… “Pa dyshim, ishte një ndeshje e mirë për ne. Ndodhi gjithçka derisa ne arritëm te goli i parë. Kur kjo ndodhi, menjëherë u hapën dyert për më shumë”. Të gjithë e dinë eliminimin e turpshëm të Barcelonës nga Sevilja në “Coppa del Rey” dhe të gjithë menduan dje se dje ishte dita e hakmarrjes.
Ibrahimoviç qesh. “Jo, nuk kishte lidhje me hakmarrjen. Ne duam të shkelim çdo gjë që na del përpara. Dhe nëse kemi fituar apo humbur, ne e dimë se kemi luajtur me mentalitetin e njëjtë, sepse ky është mentaliteti i klubit dhe i lojtarëve. Ne duam të fitojmë çdo ndeshje, por natyrisht duhet të jemi realistë. Kemi dhe shumë ndeshje për të luajtur dhe duhet të jemi të kujdesshëm”.
Pak orë para se të luante Barcelona, Reali i Madridit bëri një gabim të madh, i cili i kushtoi zgjerimin e distancës mes dy rivalëve të përgjakshëm në pesë pikë. “Nuk mendojmë shumë për ata. Ne kishim dy pikë më shumë. Nëse jemi të fokusuar në ndeshjet tona dhe luajmë lojën tonë në çdo takim njëlloj, atëherë nuk mendojmë për ata. Por nuk e di se si ndikon kjo te lojtarët. Për këtë pyesni lojtarët e tjerë, por unë them se nuk më intereson rezultati i Realit, pasi unë shkoj në çdo ndeshje për ta fituar dhe kjo nuk ndryshon”.
Mediat spanjolle tashmë kanë filluar luftën mes tyre. “El Mundo Deportivo”, gazetë që favorizon Barcelonën, kishte vënë në titullin e saj – “Adios Madrid”, duke aluduar në diferencën prej pesë pikësh dhe mbarimin e kampionatit, por Ibrahimoviç nuk mendon kështu. “Jo, absolutisht që jo! Kemi dhe shumë ndeshje për të luajtur. Natyrisht kemi avantazhin prej pesë pikësh. Por ne duhet të vazhdojmë kështu siç jemi, unë mendojmë vetëm për këtë. Ne duhet të mendojmë se kemi pikë të njëjta me ata (Realin) dhe kjo do të na japë motivacion shtesë për të dhënë më të mirën në fushë në çdo ndeshje”. Zlatan Ibrahimoviç u shpreh i zhgënjyer për eliminimin e parë të Barcelonës nga Kupa e Mbretit. “Kur eliminohesh nga një garë, apo nuk arrin ta fitosh, për mua do të thotë: vendi i dytë është njësoj si vendi i fundit. Dua të fitoj gjithçka, nënvizon bomberi suedez i katalanasve, i cili u transferua në Spanjë nga Interi gjatë merkatos së verës. Po, është një katastrofë eliminimi nga një garë. Bëmë më të mirën në Kupën e Mbretit, por tani duhet të shikojmë përpara. Kemi për të luajtur edhe për dy tituj. Kemi La Ligën dhe kemi Shtutgartin në Champions League. Po, jemi të zhgënjyer për eliminimin nga Kupa e Mbretit, por vitin e ardhshëm do ta fitojmë”, deklaroi Ibrahimoviç në fund.
#