Vendi, nga 2 orë kufizime të energjisë, shkak, defektet nga moti
Moti i keq ka nuk ka dëmtuar vetëm linjat e tensionit të lartë në zonat malore dhe ato të bllokuara nga dëbora, dëmet prej tij janë djerrë edhe në kryeqytet. Kjo do të ndodhë pasi linjat kryesore të transmetimit të energjisë kanë pësuar defekt dhe riparimi i tyre do të bëhet shkak për ndërprerje të energjisë në kryeqytet.
Me qëllim që mos të ndërpritet energjia me orë të zgjatura, specialistët e OST-së do të punojnë në disa zona, duke ndërprerë nga dy orë energjinë elektrike. Faktin se Tirana do të përballet me kufizime të energjisë elektrike prej gati dy orësh në ditë e pranon edhe drejtori i OST-së, Ymer Balla. Ndërprerja e energjisë do të jetë kryesisht në oraret e pikut nga ora 18-20 të çdo dite. Sipas Operatorit të Sistemit të Transmetimit kjo do të ndodhë pasi linjat kryesore të furnizimit me energji elektrike kanë pësuar defekt nga moti i keq. Por kufizimet nuk do të jenë të njëjta në të gjitha zonat. Ato të alternohen në kohë të ndryshme sipas zonave të kryeqytetit. Ymer Balla ka thënë dje për median se kufizimet në Tiranë do të variojnë sipas zonave, pasi Tirana furnizon pjesën veriore me energji, ndaj do të ketë mbingarkesa të stacionit. Por jo vetëm kryeqyteti do të përballet me ndërprerje të energjisë elektrike, ajo do të mungojë edhe në qytetet e tjera, por më së shumti në ato që ndodhen në veri të vendit. Do të duhet kohë që defektet të riparohen për të pasur një rrjet transmetimi të riparuar tërësisht. Mendohet se ndërhyrjet e specialistëve për të riparuar defektet e shakara nga moti i keq në gjithë vendin për shkak të motit të keq, të kërkojnë dy javë kohë për t’u riparuar.
BB publikon udhëzimin për projekte
në "Programin e fondit për shoqërinë civile 2009"
Zyra e Bankës Botërore në Tiranë ka publikuar sot udhëzimin mbi kriteret e aplikimit që duhet të zbatojnë organizatat vendase të shoqërisë civile për projekte në kuadrin e Programit të Fondit për Shoqërinë Civile. Sipas njoftimit të publikuar nga BB-ja, në këtë program mund të aplikojnë organizata vendase të shoqërisë civile me një përvojë prej të paktën dy vjetësh. Ndërkohë që shuma e financuar për çdo program do të jetë deri në 7000 $. Programi i Fondit për Shoqërinë Civile mundëson Bankën Botërore të promovojë dialogun dhe shpërndarjen e informacionit midis organizatave jofitimprurëse. BB-ja bën të ditur se objektivi i Programit për vitin 2009 përqendrohet në rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë sociale përmes angazhimit qytetar. Zyra e Bankës Botërore në Tiranë informon që projektet duhet të fokusohen në: Nxitjen e pjesëmarrjes më të madhe qytetare dhe diskutim në nivel kombëtar dhe lokal mbi çështje që lidhen me masat antikorrupsion; përmirësimin e cilësinë e aktiviteteve sociale për transparencën publike dhe përgjegjshmërinë në fusha të ndryshme të zhvillimit, duke kontribuar në rritjen e pjesëmarrjes qytetare; përmirësimin e transparencës publike dhe përgjegjshmërinë e qeverisë nëpërmjet ushtrimit të së drejtës së individëve dhe komuniteteve për informim dhe monitorim të qeverisjes; rritjen e përgjegjshmërisë publike për një akses dhe cilësi të përmirësuar të shërbimeve bazë; forcimin e mekanizmave përgjegjshmërisë për avokati dhe përfshirje në rritje të qytetarëve dhe shoqërisë civile për të ushtruar presion për përmirësimin e shpërndarjes së shërbimeve publike dhe aktivitetit të strukturave politikëbërëse. Forma e aplikimit dhe dokumentet e tjera të nevojshme duhet të dorëzohen në një zarf pranë Zyrës së Bankës Botërore në adresë të koordinatorit të Programit të Fondit për Shoqërinë Civile ose mund të dërgohen me e-mail në adresën picalbania@worldbank.org jo më vonë se më 15 shkurt 2009, bën të ditur BB-ja.