Vendi vakant në KLD, nesër komisioni seancë dëgjimore për Vishën

Nesër komisioni parlamentar i Ligjeve pritet të zhvillojë një seancë dëgjimore me kandidatin Ardian Visha, i propozuar nga Partia Socialiste për vendin vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Një javë më parë ky komision zhvilloi një seancë të gjatë dëgjimore me kandidatin tjetër Elvis Cefa, i propozuar nga maxhoranca e djathtë dhe që aktualisht mban postin e drejtorit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Pas mbetjes vakant të postit të nënkryetarit të KLD-së, me largimin e Kreshnik Spahiut, grupi parlamentar i PD-së propozoi Elvis Cefën si anëtar i ri në këtë institucion.
Kësaj kandidature iu bashkangjit menjëherë emri i Ardian Vishës, dikur prokuror dhe që prej disa vitesh ushtron profesionin e avokatit, i propozuar nga PS.
Pas të mërkurës, të dy kandidaturat për vendin vakant në KLD pritet të votohen me votim të fshehtë në seancë parlamentare të së enjtes.