Tafaj në Kinë, shkëmbim të studentëve në mastër e doktoraturë

Ministri i Arsimit dhe Shkences, z. Myqerem Tafaj, ndodhet në një vizitë zyrtare në Republikën Popullore të Kinës me ftesë të Ministrit të Arsimit kinez, Yuan Guiren. Në takimin me homologun Guiren u diskutua për bashkëpunimin dypalësh në fushën e arsimit dhe shkences. Ministri Tafaj, e njohu homologun kinez me zhvillimin e arsimit shqiptar dhe reformat në këtë fushë. Një vemendje të veçantë në bisedime iu kushtua ngritjes së institutit Konfuci, që do të mbështesë promovimin e gjuhës dhe kulturës kineze në vendin tonë.
Të dy palët shprehën gadishmerinë për rritjen e numrit të bursave , nxitjen e shkëmbimit të studentëve dhe pedagogëve dhe në mënyrë të veçantë të studenteve që mësojnë gjuhën shqipe në universitetin e gjuhëve të huaja në Universitetin e Pekinit dhe studenteve që formohen për mësues të gjuhës kineze në universitetin e Tiranës. Kjo do të përshpejtojë përgatitjen e mësuesve për mësimin e gjuhës kineze si gjuhë e dytë me zgjedhje në shkollat tona.
Ministri Tafaj, i shprehu mirënjohje qeverisë kineze për mbështetjen e madhe në fazën e parë të IT-së në arsim dhe shprehu gadishmërinë për bashkëpunimin në shtrirjen e internetit në çdo klasë . Të dy palët u angazhuan për rritjen e bashkëpunimit në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, sidomos në fushën e IT-së, shkencat teknike, bioteknologji bujqësi etj. Nga ana e tij, Ministri Tafaj, ftoi ministrin kinez Guiren për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Ndërkohë ministri Tafaj, zhvilloi takime edhe në universitetin e gjuhëve të huaja dhe atë të bujqësisë.
Gjatë vizitës në universitetin e gjuhëve të huaja të Pekinit, ministri Tafaj, zhvilloi një bisedë me studentët e degës së gjuhës shqipe. Në takimm me kryetarin e Këshillit të këtij universiteti dhe drejtues të tjerë, u diskutua për bashkëpunimin në fushën e albanologjisë dhe shkëmbimin e studentëve të masterit dhe doktoratës, si dhe në shkëmbimin e pedagogëve, në kuadër të marrëveshjes me universitetin e Tiranës.
Gjithashtu ministri Tafaj, vizitoi universitetin e Bujqësisë të Kinës, në Pekin. Në takimin me kryetarin e këshillit dhe drejtues të universitetit u diskutua për bashkëpunim në fushën e bujqësisë, ushqimit, bioteknologjisë dhe shkëmbimet e studentëve të doktoratës dhe pedagogëve në kuadër të marrëveshjes me Universitetin Bujqësor të Tiranës
Ministri Tafaj, vizitoi edhe universitetin Tsinghua të Pekinit, një ndër universitetet më të mira në botë në fushën e IT, Inxhinieri, shkenca natyrore, mjekësi dhe bioteknologji. Në takimin me drejtues të universitetit, u diskutua për bashkëpunim në këto fusha.