E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe po të keni leje qëndrimi për motive familjare Italia jep mundësi punësimi të ligjshëm

A mund të punoj ligjërisht në Itali me një leje qëndrimi për motive të ribashkimit familjar? Kjo është një pyetje e shtruar në Drejtorinë e Migracionit në Ministrinë shqiptare të Punës, nga E. M, një shtetase shqiptare, e cila si shumë të tjerë edhe pse gjendet në Itali me një vizë të lëshuar për motive të ribashkimit familjar, kërkon që të punësohet ligjërisht. Burime nga Drejtoria e Migracionit, në Ministrinë shqiptare të Punës, bazuar në legjislacioni aktual italian, shpjeguan për ATSH-në se "shtetasit shqiptarë që mbajnë një leje qëndrimi për motive familjare, apo të ribashkimit familjar, mund të punësohen si punëmarrës, apo të ushtrojnë veprimtari ekonomike të pavarur (vetëpunësim)". Sipas legjislacionit italian nuk është e domosdoshme të plotësohet dhe nënshkruhet e ashtuquajtura “kontrata e qëndrimit-model”, kur punëson një shtetas nga shtete jo anëtare të BE-së, i cili mban një leje qëndrimi për motive familjare. Nisur nga ky fakt, burime nga Drejtoria e Migracionit, vunë në dukje se "ligjërisht në Itali nuk mund të punojnë ata shqiptarë që janë në pritje të lëshimit të lejes së parë për motive familjare, pra kjo bëhet e mundur vetëm kur i lëshohet leja e qëndrimit". Kjo, sipas tyre, do të thotë se mundësia e punësimit parashikohet vetëm për ata shtetas të huaj, që janë në pritje të lëshimit të lejes së parë si punëmarrës. Dispozita e mësipërme nuk vlen për ata që janë në pritje të ripërtëritjes së lejes së qëndrimit, qoftë dhe për motive familjare, të cilëve ligji u njeh të drejtat e plota, përfshirë edhe mundësinë e punësimit të rregullt. Ligji italian parashikon që leja e qëndrimit për motive familjare mund të përdoret edhe në ushtrimin e aktiviteteve të tjera të lejuara për të huajt, kjo pa kërkuar shndërrimin e motivit të lejes së qëndrimit; (në çastin e shndërrimit të lejes lëshohet një leje e re qëndrimi për aktivitetin e ushtruar faktikisht). Sipas një Raporti të ditëve të fundit të “Caritas”, numri i shtetasve shqiptarë të pranishëm në Itali, është rreth 420 mijë. Bashkësia shqiptare në Itali shfaq një ekuilibër mes meshkujve dhe femrave, kjo edhe si efekt i rikompozimit të vatrave familjare, apo ribashkimeve familjare; pjesa më e madhe përfshihen në moshën e re, pra në grup-moshën 18-40 vjeç. Raporti i të martuarve është 2/3 e pranisë dhe qartësisht më e lartë se sa mesatarja e totales së imigrantëve (+ 8 pikë në përqindje). Procesi i “familjarizimit” spikati edhe nga fakti që 52 % e shqiptarëve mbajnë leje qëndrimi për motive punësimi, 42 % atë për motive familjare (11 pikë më shumë se sa mesatarja përkatëse). Në rritje të “fortë” dhe të qëndrueshme edhe martesat e përziera, që ndryshe nga ç’ndodh me pjesën më të madhe të bashkësive të tjera imigratore në Itali në 3 nga 4 raste lidhen me meshkuj shqiptarë. ...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›