E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si i shpëtoi Aldo Bare atentatit me antitank

Sipas dëshmitarit Musa Hatia në vitin 1998, Alfred Shkurti mori vetëm një plagë në dorë, ndonësë ai u godit me tri predha


Bare dyshonte se autor i atentatit ishte Shkëlqim Haxhiu dhe në shenjë hakmarrjeje i dogji shtëpinë


TIRANË- Procesi gjyqësor ndaj Aldo Bares, vazhdoi dje me pyetjen e tre dëshmitarëve të akuzës, ndaj të cilëve "kreu i bandës" së Lushnjës nuk kurseu kërcënimet dhe fyerjet edhe pse i është tërhequr disa herë vëmendja nga drejtuesja e trupit gjykues, Fatmira Hajdari.


Në seancën djeshme, Gjykata për Krime të Rënda me kërkesë të prokurorëve Gent Trenova e Besnik Muçi, dëgjoi "rrëfimet" e Musa Hatisë, komshi i të pandehurit, të ish- policit të Lushnjes Pëllumb Beqiri, nipi i Idajet Beqiri i dyshuar se është vrarë nga banda dhe dëshminë e Virgjil Haxhiut, vëllai i Shkëlqim Haxhiut, të cilit i është djegur banesa nga anëtarët e "bandës".


Seanca gjyqësore nisi me dëshminë e Musa Hatisë, i cili në fillim të gushtit 1998, bashkë me Baren dhe 7 fëmijë të tjerë që ndodheshin në furgon, i shpëtuan atentatit me antitank, ku si objektiv ishte i pandehuri. Bare mbeti i plagosur në krah, ndërsa mbeti i vdekur Sadush Hatia, vëllai i dëshmitarit.


"Në periudhën 97- 98, isha shofer i drejtorit të Tatimeve në Lushnje.


Pasi shoqërova drejtorin në shtëpi, djali im më kërkoi ta çoja në plazh bashkë me disa fëmijë të tjerë. Nuk ia prishja dot dhe mora furgonin e u nisa për në Divjakë. Pata edhe disa fëmijë të tjerë me vete, mes të cilëve nipin dhe mbesën e Alfred Shkurtit, fëmijët e Ramadan Shkurtit që është vrarë në atë kohë.


Pas plazhit, rreth orës 18:00, po ktheheshim për në Lushnje dhe në furgon, veç fëmijëve, ishte edhe Alfred Shkurti, ndërsa vëllai im Sadushi, po vinte pas me makinën e tij. Sapo iu afruam vendit të quajtur Shënepremte, na qëlluan me predha antitank.


Fillimisht m'u duk sikur më plasi goma, por pastaj pashë se po qëlloheshim me antitank. Menjëherë rrita shpejtësinë e makinës dhe e vetmja gjë që më shkonte ndërmend ishte të shpëtoja fëmijët që kisha në fugon. U larguam me shpejtësi duke i shpëtuar tri predhave me antitank.


Një prej tyre kishte goditur makinën e vëllait që vinte nga pas si dhe vetë vëllai kishte marrë një plumb në zemër dhe më pas vdiq. Shkova në polici dhe bëra denoncimin e më pas erdhën forcat e ndërhyrjes së shpejtë nga Durrësi.


Me ta shkova në vendin e ngjarjes dhe aty gjetëm një furgon të bardhë të braktisur nga i cili na kishin qëlluar. Më vonë mora vesh se furgoni ishte i Shkëlqim Haxhiur"-tha Hatia, ndërsa hodhi sytë nga i pandehuri Bare.


Ky i fundit, iu drejtua komshiut me disa pyetje, duke e pyetur ndër të tjera se "të kisha paralajmëruar se do qëlloheshim se po na ndiqnin". Dëshmitari Hatia, u përgjigj se nuk i mbante mend këto detaje, duke mohuar se ishte urdhëruar për ndonjë gjë nga Aldo Bare.


Ish- Polici
Rabia më tha para se ta vrisnin, se vëllain ma vranë aksidentalisht


"Në vitin 1997 po patrulloja në Lushnje dhe më erdhi Leonard Prifti me dy persona tjerë dhe më drejtoi pistoletën edhe unë bëra të njëjtën gjë. Aty gjatë debatit erdhi Enver Rabija i cili më mori pistoletën mua dhe Leonardit e atyre dy personave dhe më çoi në një ndërtesë ku ishte brenda Ilir Stërgu, Alfred Shkurti e Enver Dondollaku.


Rabia i tha Fredit të më linin të lirë se isha çun i mirë. Më pas u largova që aty, ndërsa pas ca ditësh ndodhi përplasja mes Alfred Shkurtit dhe Artur Dajës, ku ishte plagosur Enver Rabia. Një ditë isha te posta e vjetër dhe më afrohet Rabia dhe më pyet se çfarë e kisha Idajet Beqirin. Më pas më tha se e kishin vrarë gabimisht, pasi donin të vrisnin Gramoz Selmanin.


Dy ditë më pas, pranë fabrikës së plasmasit u takova sërish Rabijën dhe më tha se kishte shkuar në Kolonjë të Lushnjës, për të vrarë Selmanin. Në Kolonjë kishin qëndruar në afërsi të lapidarit dhe prisnin që të vinte Selmani. Dondollaku i kishte thënë Rabisë të kthehej në Lushnjë se e priste shefi dhe më pas kishte marrë vesh që "banda" e Fredit kishte vrarë shoferin e Selmanit dhe një mësues.


Shumë kohë më pas, takova Enver Rabinë dhe më kërkoi ndihmë pasi ishte i shqetësuar se kishte vrarë shumë njerëz të pafajshëm. E ndihmova dhe iku në Kretë. Pas shumë kohësh kur isha te shtëpinë e vjehrrit, ai mër takoi sërish dhe në fillim nuk e njoha.


Ai më tha se e kërkonte Enver Boriçi që i kishte kërkuar t'i mbaronte një porosi, por që nuk e dinte se çfarë ishte. Të nesërmen e takova në Tiranë, në rrugën "Myslym Shyri", ku më tha se donin ta vrisnin. Aty u ndamë dhe të nesërmen Rabinë e hodhën në erë në rrugën "Don Bosko,- mbylli rrëfimin Beqiri.


Haxhiu, pas atentatit Aldo Bare dogji shtëpinë e Vëllait


"Më quajnë Virgjil Haxhiu dhe banoj në Lushnje. Në vitin 1998, sapo isha kthyer nga puna dhe isha shtrirë për të fjetur kur ra porta. Shkova dhe e hapa e menjëherë më qëlluan disa persona. Duhej të ishin pesë apo gjashtë vetë.


Më tërhoqën në oborrin e banesës së vëllait dhe më pyesnin ku ishte Shkëlqimi, ndërsa unë u thashë se nuk e dija. Më pas më morën dhe më futën në një furgon të bardhë dhe një person më rrinte me pistoletë në kokë. Më pas sollën nipin tim Karafilin me të shoqen dhe pastaj gruan time.


Na çuan në komisariatin numër 2 në Lushnje. Aty takuam Alfred Shkurtin, që na tha se e kishte qëlluar vëllai im e ai ai kishte vrarë dorën. I thashë po të ka qëlluar vëllai im për të vrarë, do ta vras unë.


Ai sqaroi se nga makina e vëllait tim e kishin qëlluar. Më pas në dhomë hyri një person i quajtur Çakja dhe i tha se kot na kishin sjellë aty. Se çfarë biseduan dhe më pas na larguan drejt shtëpisë. Kur u kthyem aty pamë shtëpinë e Çimit që digjej",-tha dëshmitari Virgjil Haxhiu.


Kjo dëshmi u kundërshtua nga i pandehuri Bare duke mohuar që është takuar me dëshmitarin ndonjëherë. Por, Haxhiu përmendi edhe disa detaje të tjerë të bisedës së tyre, duke këmbëngulur se takimi ishte kryer por që këto detaje nuk i pëlqyen të pandehurit që disa herë drejtoi fjalë kërcënuese e fyese ndaj dëshmitarit Haxhiu dhe më pas i kërkoi ndjesë gjykatës për irritimin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›