Vendimet e KQZ dhe Kolegjit që çuan në bojkot
Në përfundim të procesit zgjedhor, disa parti politike që morën pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit dorëzuan pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën për rinumërim të votave në KZAZ të ndryshme për pesë qarqe. Berati, Shkodra, Fieri dhe Tirana që I ankimuan nga PS, PDK, G99, PBDNJ etj., si dhe Durrësi. Kërkesa për rinumërim dhe rivlerësim të votave u rrëzua në të gjitha qarqet, përveç disa kutive në Fier dhe vendimet përfunduan në Kolegjin Zgjedhor. Kolegji Zgjedhor rrëzoi vetëm një vendim të KQZ-së, duke i dhënë përfundimisht mandatin e nëntë Partisë Socialiste, ndërsa ankimimet e tjera të këtij qarku dhe vendimet për katër qarqet e tjera mbetën në fuqi. Sipas vendimit të gjykatës, ishte i drejtë vendimi i KQZ për të mos lejuar rinumërim dhe rivlerësim të votave në kuti të ndryshme të KZAZ të këtyre qarqeve, duke i dhënë në mënyrë juridike fund ankimimit të procesit zgjedhor. Një javë më vonë, KQZ shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. Pas kësaj, PS shpalli mosnjohjen e zgjedhjeve dhe vendimeve të marra nga KQZ dhe Kolegji Zgjedhor duke i akuzuar se kontrolloheshin nga mazhoranca në pushtet. Mosnjohja e zgjedhjeve u pasua me bojkotin e Parlamentit, nisjen e protestave e tanimë me kërkesën për zgjedhje të parakohshme. Ndërsa politika është përfshirë në replika të ashpra konstitucionalistët interpretojnë kërkesën e opozitës dhe mbrojtjen e mazhorancën për të mos hapur kutitë, duke dalë në përfundimin se nuk ka një vendim konkret të gjykatës që nuk lejon hapjen e kutive, po aq sa Parlamenti nuk ka të drejtë të hyjë në këtë çështje.