Bode flet në gjuhën e Berishës, kundër Ramës
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ridvan Bode, ripërsërit akuzat që Kryeministri Berisha bëri ditën e enjte në Parlament kundër kryesocialistit Edi Rama. Ministri Bode nga Pogradeci theksoi se mazhoranca është përpara një ultimatumi absurd. Sipas tij, "ky ultimatum ka dy alternativa destabilizim antikushtetues ose na dorëzoni pushtetin. Në fakt, ne nuk kemi ndërmend të bëjmë as njërën dhe as tjetrën. Ne do të qeverisim në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve". Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve nuk u tregua as i kursyer ndaj jetës personale të kreut të PS-së. "Edvin Rama, njeriu që nuk ka familje, njeriu që dhunon gruan në mënyrë publike, e zhvesh lakuriq nëpër plazhet e botës, njeriu që akuzon gruan e parë se fëmijën e vet e ka me të atin. Njeriu që s‘ka mundur dot kurrë të ngrejë familje për veten e tij, nuk mund të mirëkuptojë dhimbjen e mijëra familjeve të ndara përgjysmë dhe që një ditë kërkojnë të bashkohen, të përafrohen me njëri-tjetrin", tha Bode.