E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: E vërteta e raportit me Ina Ramën

Presidenti i Republikës rrëfen për herë të parë marrëdhëniet me Prokuroren e Përgjithshme, a ka kontradikta me Kryeministrin dhe mesazhi i tij për zgjedhjet.


Topi: "Institucioni i Presidentit, asnjëherë nuk do të interferojë në asnjë lloj çështjeje".

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka sqaruar dje publikisht raportet e tij me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, për të cilën ka pasur mjaft akuza nga mazhoranca e deri aludime nga Kryeministri se po e përdor si parti politike. "Përtej formatit ligjor, Presidenti, qoftë me Kryeprokuroren, qoftë me përfaqësues të ndonjë institucioni tjetër, nuk mund të bëjë asnjë bisedë tjetër.

Në zyrë dhe jashtë zyre, në pozicionin tim jam jashtëzakonisht institucional dhe absolutisht nuk merrem me probleme të tjera, që nuk më takojnë mua të merrem", - tha Topi. Presidenti i Republikës ka bërë publike edhe marrëdhëniet e tij me Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e liderin e opozitës, Edi Rama. Në emisionin "Ora e debatit", Topi përcjell edhe mesazhin për zgjedhjet.


Mediat botërore i dhanë një rëndësi shumë të madhe 60-vjetorit të NATO-s dhe gjithashtu, mediat shqiptare është e natyrshme që i dhanë shumë rëndësi dhe tri ditë me radhë janë pasqyruar të gjitha aktivitetet që u zhvilluan në Samit. Ka pasur momente të ndryshme për paraqitjen në televizionin shqiptar, një prej të cilave lidhet me protokollin.


A është zbatuar protokolli, sepse ka pasur shumë diskutime për momentin që ju jeni
paraqitur me Zonjën Tuaj në darkën e Samitit, ndërkohë që Kroacia, vend tjetër që u bë anëtar, u paraqit me Presidentin dhe Kryeministrin?


Unë mund t'ju them që delegacioni ka qenë integral, ka qenë i ndërtuar mbi bazën e një protokolli të shtetit dhe është zbatuar nga të gjithë në mënyrë shumë të disiplinuar. Duhet të dini që protokolli i organizimeve të tilla bëhet pikërisht nga organizatorët dhe kurrsesi nuk mund të ketë hapësirë për keqkuptime.

Kemi qenë në harmoni të plotë, sikurse e kërkon rregulli i bashkëpunimit ndërinstitucional, dhe pavarësisht nga komentet që mund të bëhen në media, ju siguroj që delegacioni ka funksionuar në mënyrë shumë serioze, shumë harmonike, gjë që u pa deri në momentin e arritjes në Rinas, të prezantimit dhe të finalizimit të një procesi, i cili ishte sa substancial, aq dhe formal.

Në të dyja këto pikëpamje, mendoj që Shqipëria ka bërë një prezantim mjaft dinjitoz, mjaft të bukur, çka demonstron për të gjithë shoqërinë shqiptare, që Shqipëria është një shtet i konsoliduar, mjaft serioz dhe që premton shumë në të gjitha drejtimet.


Pra, ju i mohoni totalisht zërat që flasin për një anashkalim, ose një spostim, le të themi, ose një mungesë harmonie të plotë mes jush dhe Kryeministrit?


Zoti Peza, unë nuk kontestoj. Unë pohoj dhe ju i referoheni pohimit tim që delegacioni ka qenë perfekt, harmonik, në të gjitha prezantimet e tij.


Si President i Republikës, por dhe si një njeri politik, i angazhuar prej vitesh në këtë fushë, a ndjeni ju një lloj përpjekjeje të njërit apo tjetrit krah, të njërit apo tjetrit faktor për ta privatizuar, le të themi, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për të marrë më shumë 'aksione', siç mund të thuhet në disa raste?


Unë nuk do të dëshiroja të futesha në analizën e mënyrës së sjelljes, sepse, si President i Republikës, më intereson pikërisht ajo që thashë. Dëshiroj që ky mesazh të merret si i tillë nga të gjithë.

Ky është zëri i Presidentit të Republikës. Pastaj, çdo informacion politik ka të drejtë të bëjë bilancin e vet. Në mënyrë absolute të prezantohet me performancën e vet dhe është e drejtë e cilitdo. E rëndësishme është që Presidenti i Republikës flet me mesazhin që ka të bëjë me interesin e të gjithë shoqërisë, e të gjitha institucioneve.

Në një vend demokratik, institucionet janë më të rëndësishme dhe pavarësisht nga performanca apo rotacioni politik, është e rëndësishme që pushteti të përdoret për të forcuar shtetin dhe, në këtë sens, cilido pushtet, jam i bindur që ka këtë lloj pozicionimi, që të punojë sa më shumë, që të forcojë imazhin e shtetit.

Dhe, në rastin konkret, imazhi i shtetit, pas anëtarësimit në NATO, është një imazh më i fortë, një imazh do të thosha më premtues për një të ardhme, e cila do të shërbejë edhe për integrimin në Bashkimin Evropian.


Kur mund të konsiderohet i mbyllur kapitulli i tranzicionit në Shqipëri me anëtarësimin në NATO?


Unë besoj që nga pikëpamja politike, në mënyrë absolute po, ndërsa ka çështje të karakterit ekonomik, ka çështje të tjera, që gjithmonë do të nxjerrin debate në shoqëri, të cilat do të kërkojnë ende kohë për ta siguruar të finalizuar këtë proces dhe unë nuk mund të futem në partikularitete, në hollësira, por ka çështje që sot e preokupojnë prapë shoqërinë.


Do të doja shumë të flisnim në këtë intervistë edhe për pjesën e politikës së brendshme. Ka pasur spekulime të shumta në media rreth raporteve tuaja me Kryeministrin, liderin e mazhorancës.

Si janë marrëdhëniet tuaja në fakt, duke dashur ta dëgjojmë nga goja juaj?


Unë e kam thënë dhe herë tjetër që marrëdhëniet janë shumë institucionale dhe në këtë plan janë mjaft marrëdhënie korrekte. Dua ta përkufizoj këtu dhe besoj me kaq të gjithë ata që dëshirojnë të marrin informacion, le ta marrin atë.


Përveç atij takimi publik në Samitin e NATO-s, kur ka qenë hera e fundit që ju e keni takuar Kryeministrin Berisha në rrugë institucionale?
Unë nuk mundem tani të rikthehem në referenca ekzakte, por ne kemi pasur rast të takohemi dhe përderisa ju thashë që kemi marrëdhënie korrekte institucionale, pavarësisht ku janë bërë takimet dhe si janë zhvilluar, besoj që nuk ka vend për të fiksuar dhe takimet dhe kohën e takimeve.


Pra, është një rutinë dhe ju nuk keni pse t'i fiksoni?

Ashtu është.


Por, nga ana tjetër, mediat, por dhe ambientet politike, flasin dhe për një marrëdhënie të tendosur tuajën me Kryetaren e Parlamentit, zonjën Topalli. Si janë marrëdhëniet?


Unë ju siguroj që jam shumë korrekt në këto marrëdhënie dhe ky pozicion, më shumë se çdo institucion tjetër, të imponon që të kesh marrëdhënie shumë korrekte institucionale. Unë i qëndroj këtij pozicioni shumë korrekt dhe tentoj që çdo ditë të përsos marrëdhëniet ndërinstitucionale.


Përtej gjuhës së një Presidenti Republike dhe përtej, le të themi thashethemnajës politike, në fakt, a ka vend për t'u diskutuar më në distancë për një lloj rivalitetin tuaj, sepse është thënë shpesh, ndoshta?


Unë asnjëherë nuk jam bërë dipendent i thashethemnajave, sepse nuk kam qenë asnjëherë frekuentues i këtyre ambienteve.

Përderisa ju cituat një term, "rivalitet", nuk ka qenë asnjëherë në natyrën time që të bëj rivalitet me askënd dhe aq më shumë do të ishte një "no sense" absolut, në rast se karrigia më e lartë e shtetit kërkon me vullnetin e tij të bëjë rivalitet. Unë jam në një pozicion sot që më intereson vetëm forcimi i institucioneve në Shqipëri, rritja e imazhit të Shqipërisë, më intereson rritja e mirëqenies së popullit, që përfaqësoj dhe, padyshim, ajo që unë e kam kthyer në fakt, në një lajtmotiv në të gjitha bisedat, ka qenë pikërisht aksesi që, çdo njeri që jeton në Shqipëri, që ka një pasaportë shqiptare, të këtë mundësinë që të lëvizë i lirë kudo ku ai mundet, sepse tek e fundit, është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe finalizohet me atë mundësi që çdo njeri të ndjehet i lirë për të lëvizur në një botë të lirë, ku ne tentojmë të integrohemi.


Po marrëdhëniet me liderin e partisë më të madhe të opozitës, zotin Edi Rama, si janë?
Besoj që kanë qenë marrëdhënie korrekte, gjithashtu të karakterit institucional.

Zoti Topi, një pyetje tjetër që lidhet në një farë mënyre me drejtësinë për raportet tuaja me Prokurorinë në përgjithësi dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, në veçanti. Ka pasur gjithmonë akuza politike të ardhura kryesisht nga mazhoranca, një prej të cilave lidhet me Kryeministrin e vendit, që ka thënë që po e përdorni Prokurorinë si një parti politike. Ju keni dhënë një përgjigje për këtë?


Nuk kam dëgjuar që të ketë një vlerësim të drejtpërdrejtë. Ndoshta një analizë mund të aludohet. Unë ju siguroj që qoftë në natyrën time, qoftë të institucionit, deklaratat publike kanë qenë mjaft lakonike, por shumë të qarta, që interesi më i madh i institucionit të Presidentit, është rritja e autonomisë, brenda raporteve ligjore të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe absolutisht nuk ka pasur raporte të tjera.

Do të vazhdoj të prononcohem në funksion të plotësimit të këtyre institucioneve, të punës që duhet të bëjnë prokurorët, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokurorët e thjeshtë në funksion të realizimit të drejtësisë, të cilën ne e dëshirojmë të gjithë. Nuk mendoj që mund të ketë aludime rreth këtyre raporteve, sepse më shumë se çdo institucion tjetër, institucioni i Presidentit është shumë i monitoruar.


Ju pra nuk keni tentuar as direkt dhe as indirekt të influenconi në linjë institucionale ose jo, hetimin e çështjeve të tilla, në të cilat preket mazhoranca, siç është rruga Durrës-Kukës, çështja Fazlliç, apo çështja e Gërdecit?


Me gjithë respektin që kam, kur tentoni të bëni pyetje në të njëjtin sens bëni një gabim, sepse gjërat janë më se të qarta.

Mund t'ju siguroj se nuk ka pasur absolutisht asnjë lloj tendence. E rëndësishme është që drejtësia të lejohet që të punojë, por nga ana tjetër dhe vetë drejtësia duhet të punojë, detyrat janë të qarta, e përsëris, të forcojë integritetin moral dhe nga ana tjetër të rrisë profesionalizmin.

Gjithçka tjetër duhet të bëhet brenda kornizave ligjore dhe eksperienca ka treguar dhe do të tregojë që ky institucion asnjëherë nuk do të interferojë në asnjë lloj çështjeje.


Këto janë çështje të vetme, të cilat ju i diskutoni me Prokuroren e Përgjithshme, zonjën Ina Rama?


Raportet midis institucioneve janë mjaft të përcaktuara në linjat e funksionimit ligjor. Përtej formatit ligjor, Presidenti, qoftë me Kryeprokuroren, qoftë me përfaqësues të ndonjë institucioni tjetër, nuk mund të bëjë asnjë bisedë tjetër. Në zyrë dhe jashtë zyre, në pozicionin tim jam jashtëzakonisht institucional dhe absolutisht nuk merrem me probleme të tjera, që nuk më takojnë mua të merrem.


Çfarë i rrezikon, le të themi potencialisht, në realitet, pra në terren, zgjedhjet dhe kush është mesazhi juaj për klasën politike?


Unë nuk mund të hyj në analizën se çfarë i rrezikon, sepse zgjedhjet rrezikohen gjithmonë nga shmangia e detyrimit ligjor dhe çdo njeri dhe çdo institucion e ka të qartë se cili është detyrimi ligjor për zgjedhjet.

Por, mesazhi im është shumë i qartë. Besoj se Shqipëria dhe shoqëria shqiptare ka ardhur në një moment historik. Pra, sot është aleat i vendeve më të rëndësishme të botës demokratike dhe duhet ta konsiderojë ditën e zgjedhjeve në mënyrë të tillë që duhet të marrin pjesë sa më shumë në votime.

Së dyti, duhet patjetër që, deri në momentin e zgjedhjeve, të aplikojnë me urgjencë për kartat e identitetit ata që nuk i kanë dhe, e treta, që ka të bëjë me vullnetin e tyre, që të dëshmojnë se dinë të votojnë si qytetarë të lirë, të një bote të lirë dhe, më e rëndësishmja pastaj, është administrimi i procesit zgjedhor dhe administrimi i të gjitha përgjegjësive, që vijnë nga ky proces zgjedhor kaq i rëndësishëm, sikurse janë zgjedhjet politike në vend.
Marrë me shkurtime nga
emisioni "Ora e debatit", në "Ora News"

Për protokollin në NATO


Unë mund t'ju them që delegacioni ka qenë integral, ka qenë i ndërtuar mbi bazën e një protokolli të shtetit dhe është zbatuar nga të gjithë në mënyrë shumë të disiplinuar. Duhet të dini që protokolli i organizimeve të tilla bëhet pikërisht nga organizatorët dhe kurrsesi nuk mund të ketë hapësirë për keqkuptime.


Për rivalitetin me Topallin


Nuk ka qenë asnjëherë në natyrën time që të bëj rivalitet me askënd dhe aq më shumë do të ishte një "no sense" absolut në rast se karrigia më e lartë e shtetit kërkon me vullnetin e tij të bëjë rivalitet. Unë jam në një pozicion sot, që më intereson vetëm forcimi i institucioneve në Shqipëri, rritja e imazhit të Shqipërisë, më intereson rritja e mirëqenies së popullit që përfaqësoj dhe, padyshim, ajo që unë e kam kthyer në fakt në një lajtmotiv në të gjitha bisedat, ka qenë pikërisht aksesi që çdo njeri që jeton në Shqipëri, që ka një pasaportë shqiptare, të këtë mundësinë që të lëvizë i lirë kudo ku ai mundet, sepse tek e fundit, është bërë një punë e jashtëzakonshme dhe finalizohet me atë mundësi që çdo njeri të ndjehet i lirë për të lëvizur në një botë të lirë, ku ne tentojmë të integrohemi.

Për zgjedhjet


Besoj se Shqipëria dhe shoqëria shqiptare ka ardhur në një moment historik. Pra, sot është aleat i vendeve më të rëndësishme të botës demokratike dhe duhet ta konsiderojë ditën e zgjedhjeve në mënyrë të tillë, që duhet të marrin pjesë sa më shumë në votime. Së dyti, duhet patjetër që deri në momentin e zgjedhjeve, të aplikojnë me urgjencë për kartat e identitetit ata që nuk i kanë dhe, e treta, që ka të bëjë me vullnetin e tyre, që të dëshmojnë se dinë të votojnë si qytetarë të lirë të një bote të lirë dhe, më e rëndësishmja pastaj, është administrimi i procesit zgjedhor dhe administrimi i të gjitha përgjegjësive, që vijnë nga ky proces zgjedhor kaq i rëndësishëm, sikurse janë zgjedhjet politike në vend.

Raporti me Ina Ramën


Raportet midis institucioneve janë mjaft të përcaktuara në linjat e funksionimit ligjor. Përtej formatit ligjor, Presidenti, qoftë me Kryeprokuroren, qoftë me përfaqësues të ndonjë institucioni tjetër, nuk mund të bëjë asnjë bisedë tjetër. Në zyrë dhe jashtë zyre, në pozicionin tim jam jashtëzakonisht institucional dhe absolutisht nuk merrem me probleme të tjera, që nuk më takojnë mua të merrem.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›