E Diel, 1 Nëntor 2026

Nevoja por para, tregti me ish- hotel “Dajtin” mes qeverisë dhe BSH-së



Ervin KOÇI

Mungesa e parave në arkën e shtetit ka detyruar qeverinë që të shesë për një “kafshatë bukë” pronat shtetërore me vlerë të pakonsiderueshme. Një gjë e tillë duket se po ndodh dhe me ish-hotelin e famshëm “Dajti”, në qendër të kryeqytetit, të cilin qeveria ka vendosur ta shesë për 30 milionë euro. Blerësi i këtij “suveniri” që mban brenda një pjesë të historisë së kryeqytetit, do të jetë Banka e Shqipërisë. Por më tepër se sa një shitje, duket se vendimi për privatizimin e kësaj ndërtese tashmë të rrënuar, duket se është vetëm një manovër për të furnizuar arkën e shtetit me likuiditet. Si me që kalimi i parave nga BSH-ja tek qeveria nuk mund të bëhet hapur, pasi shkelet ligji, duket se është gjetur pikërisht kjo kleçkë për ta legalizuar kalimin e parave nga thesari tek qeveria. Kështu BSH-ja do ti japë qeverisë 30 milionë euro për këtë ndërtesë, të cilën nuk dihet se përse do ta përdorë, në një kohë që lihet e hapur mundësia që nëse BSH-ja vendos ta rishes atë, të drejtën e parablerjes e ka më parë qeveria. Kjo ndërtesë u planifikua dy vite më parë për t’u kthyer në godinën e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por mungesa e fondeve nga ana e shtetit për rikonstruksionin e saj bënë që ajo të rinohej edhe më keq, duke u kthyer në një “gërmadhë” në qendër të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Por tani qeveria ka marrë vendim që t’i japi identitet këtij objekti, i cili përveç të tjerave pretendohet edhe nga pronarët e ligjshëm të tokës.

Vendimi
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Shitjen e pronës shtetërore, “Ish-hotel Dajti”, me adresë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, sipas plan-vendosjes që i bashkëlidhet këtij vendimi, Bankës së Shqipërisë. 2. Shitja e kësaj prone Bankës së Shqipërisë të bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. 3. Çmimi i shitjes do të jetë 30.000.000 (tridhjetë milionë) euro. 4. Përdorimi i pronës të jetë vetëm për qëllime administrative dhe për çdo funksion tjetër, në shërbim të këtij qëllimi, i cili nuk dëmton vlerën monumentale të pronës. 5. Këshilli i Ministrave të ketë, në çdo rast, të drejtën e parablerjes së pronës, objekt i këtij vendimi, në rast shitjeje nga Banka e Shqipërisë. 6. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. 7. Pika 8, e vendimit nr.146, datë 08.03.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për mbylljen e veprimtarisë ekonomiko-financiare, të ndërmarrjes shtetërore “Hotel Dajti” dhe ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit të ndërtesës së hotelit”, shfuqizohet. Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Marrja e borxhit
Qeveria ka tërhequr edhe më parë para në shuma të ndryshme nga BSH-ja, por kohët e fundit ajo nuk po arin të sigurojë likuiditetin e nevojshëm për investimet publike dhe shpenzimet e ndryshme. E zhytur në borxhe të mëdha, qeveria po pret që të marrë sërish një superborxh për të çuar përpara investimet publike, pagesat e pagave dhe pensioneve, si dhe shlyerjen e një pjese të borxheve të vjetër. Por tani për tani, qeveria duket se i ka braktisur përpjekjet për të emetuar bondet e para në euro të vendit tonë, pasi u pa që edhe pas arritjes së marrëveshjes së ndihmës mes Greqisë dhe FMN-së, situata në tregjet financiare ndërkombëtare vijon të mbetet e pasigurt. Sipas një burimi pranë qeverisë, i cili nuk dëshiron të identifikohet, plani për emetimin e bondeve është efektivisht “i ngrirë”. Duket se kjo është një mënyrë e zgjedhur nga qeveria për të pranuar në heshtje dhe pa zhurmë se përpjekja e tretë në tre vjet për emetimin e eurobondeve dështoi. Ende nuk është vendosur se si do të veprojë qeveria për të mbuluar gropën e krijuar nga mosemetimi i eurobondeve. MF-ja pati planifikuar të shpenzonte gjysmën e huasë së marrë përmes eurobondeve për të mbuluar shpenzimet e buxhetit të shtetit të këtij viti.

BOX///////////////////////////
Rritja e pagave dhe pensioneve, buxheti i shtetit në vështirësi

Muajt e parë të vitit nuk rezultuan të mbarë në mbledhjen e të ardhurave në masën e planifikuar nga qeveria, për shkak të efekteve që vijuan prej krizës ekonomike. Megjithatë, qeveria duket e vendosur të rrisë pagat dhe pensionet. Sipas buxhetit të këtij viti është parashikuar që, pagat do rriten nga 4-10 %, në mënyrë të diferencuar, ndërsa pensionet nga 7-10%. Por në një kohë që inflacioni mbetet në kufijtë e 4%, rritja e tyre duket se do të jetë e papërfillshme. Nga ana tjetër, ky objektiv do ti kushtojë shtrenjtë qeverisë, pasi për ta realizuar do t’i duhet të shkurtojë një sërë shpenzimesh të tjera, përfshirë këtu edhe investimet publike, pasi mbledhja e të ardhurave nuk e garanton. Deputeti i mazhorancës, Sherefedin Shehu, është i mendimit se rritja e pagave dhe pensioneve duhet bërë pasi është e vërtetuar se ajo shërben si një motor për ekonominë. Mbi të gjitha, sipas tij fondi që nevojitet për këtë zë shpenzimesh nuk krijon të ashtuquajtura turbulenca ekonomike. Por, për Shehun, nga muaji mars e në vazhdim të ardhurat kanë nisur të mblidhen në nivelin e parashikuar. Sipas të dhënave zyrtare deri tani është shkurtuar buxheti i çdo ministrie me të paktën 20%. Ekspertët e ekonomisë janë të mendimit se premtimi për rritje është më shumë një propagandë që fsheh pas truqe ekonomike. Por Fondi Monetar Ndërkombëtar ka sugjeruar që qeveria shqiptare të mos rrisë pagat, por t’i indeksojë ato. Kjo masë është propozuar për të shmangur risqet në buxhet. Gjatë 2009-s qeveria rriti pagat dhe pensionet 2 muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, në një kohë që arka e shtetit po përballej me rënie të të ardhurave. Ky fakt solli më pas nevojën për të korrigjuar shifrat e buxhetit të vitit 2009 por edhe atij të 2010. Nga ana tjetër edhe ngrirja e procesit të eurobondit për shkak të krizës greke e ka bërë edhe më të vështirë premtimin për rritjen e pagave nga data 1 korrik 2010.

Analiza e BSH: Bankat private mund t’i përballojnë kreditë e këqija

Bankat private që veprojnë në Shqipëri janë në gjendje të përballojnë me sukses probleme shumë herë më të rënda nga sa kanë përballuar gjatë vitit 2009. BSH ka llogaritur se çfarë problemesh mund të hasin bankat në rast se përballen me zhvlerësim të mëtejshëm të lekut dhe me rritje të mëtejshme të kredive të këqija dhe ka dalë në konkluzionin se edhe në rast se skenari më pesimist realizohet, sërish sistemi bankar nuk do të ketë probleme. Sipas këtyre llogarive, në rast se leku nuk dobësohet më tej kundrejt euros gjatë këtij viti, sasia e kredive të këqija në sistemin bankar nuk do të rritet më tej. Kjo do të thotë se niveli aktual prej 11.7 për qind, mund të konsiderohet si kulmi i krizës. Por në rast se leku do të zhvlerësohet me 5 për qind të tjera, kreditë e këqija mund të rriten deri në 15.5 për qind nga fundi i këtij viti, sipas skenarit të dytë. Edhe në këtë rast, bankat nuk do të paraqesin asnjë problem, pasi humbjet e pësuara nga kreditë e këqija do të mbulohen me lehtësi nga fitimet e këtij viti. I njëjti konkluzion është edhe në rast se leku zhvlerësohet me 10 për qind. Në këtë rast, kreditë e këqija mund të arrijnë në 16 për qind, por sërish bankat nuk do të përballen me humbje të konsiderueshme financiare. Vetëm në rast se leku zhvlerësohet me 20 për qind, atëherë kreditë e këqija mund të arrijnë në 25 për qind. Sipas këtij skenari ekstrem, pronarët e bankave do të detyrohen të derdhin rreth 40 milionë dollarë kapital shtesë për të mbuluar humbjet. Sistemi bankar shqiptar ka rezultuar veçanërisht i qëndrueshëm gjatë krizës së vitit të kaluar, për shkak të mbikëqyrjes së dobët të marrëdhënieve kontraktuale mes bankave dhe klientëve. Të gjitha bankat ishin në gjendje të ndryshojnë kushtet e kontratave të kredive me klientët e vet, si dhe shtuan komisionet mbi shërbimet bankare shpesh pa pasur nevojë as t’i informojnë klientët. Në këtë mënyrë, klientët e rregullt të bankave u detyruan të paguajnë humbjet që bankat pësuan nga kreditë e këqija. Në disa raste, bankat ndryshuan tërësisht kushtet kontraktuale me kredimarrësit, duke i ngarkuar atyre kosto shtesë. BSH ka ndërmarrë disa nisma për të detyruar bankat që të informojnë klientët për kostot e shërbimeve bankare, megjithatë, kontratat me bankat mbeten ende të hapura në dëm të klientëve.

13 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›