E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti varet nga diplomacia e fuqishme dhe aktive



Cili do të jetë roli i tij?

Pak javë pas miratimit të një deklarate presidenciale në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që ka përfshirë një raport të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun, janë shtuar thirrjet për përcaktimin e një axhende të bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit për aspektet teknike.

Raporti i zotit Ban përmban një marrëveshje gjashtëpikëshe të OKB-së me Beogradin zyrtar, që është cilësuar e papranueshme nga autoritetet në Prishtinë, meqë sipas tyre ajo cenon tërësinë tokësore të Kosovës. Por zyrtarët në Beograd kanë kërkuar që të fillojë zbatimi i gjashtëpikëshit, që prek fushën e drejtësisë, policisë e doganave dhe që i ka hapur rrugën vendosjes së EULEX-it në gjithë territorin e Kosovës.

Ndërkohë, misioni i OKB-së në Kosovë ka paralajmëruar fillimin e një raundi të ri negociatash në nivel ekspertësh, për zbatimin e planit gjashtëpikësh të OKB-së, që u miratua në KS në fund të vitit të kaluar. Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Xanier, më herët i tha BBC-së se raporti i Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun, është themeli për të ndërtuar rrugën përpara:

"Ne marrin parasysh të gjitha elementet e tij dhe jo vetëm elementet e përzgjedhura të tij dhe ne po ecim përpara drejt zbatimit. Por, ndërsa ecim drejt zbatimit, gjëja më e mirë do të ishte sikur të kishim një dialog të drejtpërdrejtë ndërmjet palëve, por, nëse nuk ka një të tillë, atëherë do të ketë një rol lehtësues. Kjo nuk duhet të jetë në nivelin tim, por duhet të bëhet në nivel teknik. Do të ketë ekspertë të përfshirë që do të diskutojnë specifikat e fushave të ndryshme, duke marrë parasysh mendimet e të gjithëve", - tha zoti Xanier.

Mirëpo, udhëheqësit e institucioneve të Kosovës e kanë kundërshtuar idenë e hapjes së bisedimeve teknike me Beogradin zyrtar, mbi bazën e dokumentit gjashtëpikësh, të dakorduar mes OKB-së dhe qeverisë serbe. Autoritetet në Prishtinë thanë se bisedimet mund të zhvillohen për çështje të interesit të përbashkët dhe vetëm si dy vende të pavarura.

Kryeministri Hashim Thaçi tha se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mund të normalizohen vetëm nëse Beogradi do të pranonte pavarësinë e Kosovës, duke ndihmuar siç tha në vendosjen e paqes në rajon. Sipas tij, Prishtina dhe Beogradi mund të zhvillojnë bisedime vetëm si dy shtete të pavarura.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka kundërshtuar fuqishëm fillimin e zbatimit të marrëveshjes gjashtëpikëshe, por nuk e ka përjashtuar mundësinë e takimeve mes Prishtinës e Beogradit për çështjet teknike:

"Mendoj se Parlamenti i Kosovës ka detyra dhe obligime të tjera. Për çështjen e gjashtëpikëshit institucionet e Kosovës e kanë dhënë fjalën e tyre. Ju e dini se asnjë institucion në Kosovë nuk e ka mohuar mundësinë e bisedimeve me Serbinë për çështje që janë me interes reciprok, por natyrisht, institucionet e Kosovës dhe askush në Kosovë, nuk e ka të drejtën që të zhvillojë bisedime politike për procesin politik në Kosovë",- ka deklaruar kryeparlamentari Krasniqi.

Marrëveshja e arritur mes OKB-së dhe Beogradit për, siç thuhet, përmirësimin e kushteve në fusha të caktuara në Kosovë, është përkrahur nga BE-ja, meqë ajo thuhet të ketë mundësuar shtrirjen e misionit evropian për drejtësi dhe polici në territorin e Kosovës.

Ambasadorja e Republikës së Çekisë në Prishtinë, Janina Hrebickova, vendi i së cilës ka marrë udhëheqjen në BE, tha të hënën në Prishtinë se i takon UNMIK-ut që të dalë me një skenar për zhvillimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, por ajo nuk përjashtoi mundësinë që edhe përfaqësuesi i BE-së të ofrojë një ide mbi bisedimet për zbatimin e planit të OKB-së.

"I përket Prishtinës dhe Beogradit, që në fazën e parë, si do të reagojnë, si do t'i shohin mundësitë e këtyre bisedimeve teknike dhe më pas, është përgjegjësi e Misionit të Kombeve të Bashkuara dhe Zyrës Civile Ndërkombëtare si dhe e EULEX-it dhe presidencës së BE-së për të dalë me një pako, me një skenar, se si të zhvillohen më tej këto negociata", - tha Hrebickova.

Mirëpo, përfaqësuesit serbë thonë se qeveria e Serbisë nuk do të bisedojë me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, që nuk janë njohur nga Beogradi, megjithëse e kanë lënë të hapur mundësinë e fillimit të bisedimeve me ndërmjetësim të UNMIK-ut. Sekretari i shtetit në Ministrinë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, tha se bisedimet e ndërmjetësuara mund të jenë të mundshme dhe të nevojshme:

"Është e nevojshme që UNMIK-u të nisë një nismë të tillë. Është plotësisht e gabueshme që të refuzohet nisma e UNMIK-ut, sepse ai është i vetmi institucion ndërkombëtar jokundërthënës në aspektin politik. EULEX-i nuk mund ta zëvendësojë UNMIK-un. Mund ta zëvendësojë në tri nga shumë fusha në të cilat punon UNMIK-u, posaçërisht në polici, drejtësi dhe dogana dhe atë në mënyrë shumë specifike. UNMIK-u i nevojitet të gjithëve në Kosovë, serbëve që të kenë kontakt me shqiptarë, por edhe anasjelltas. Nëse qeveria e Kosovës mendon se duhet të ketë ndonjë kontakt me serbët, atëherë ky kontakt mund të jetë vetëm me ndërmjetësim", - i ka deklaruar zoti Ivanoviç BBC-së.

Tash për tash, nuk dihet axhenda e mundshme e bisedimeve për fillimin e zbatimit të planit të OKB-së. Zyrtarët ndërkombëtarë thonë se shumëçka mund të dihet vetëm pas një takimi që shefi i UNMIK-ut, Lamberto Xanier, do të zhvillojë brenda dy ditëve me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›