E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pezullohet për të dytën herë nga detyra Krenar Ahmeti



Shefi i Policisë Rrugore të Tiranës, Krenar Ahmeti, është pezulluar për herë të dytë nga detyra. Sipas burimeve nga policia, shkak i pezullimit të tij kanë qenë shkeljet e rënda të disiplinës në punë nga ana e tij. Urdhri është dhënë nga drejtori i ri i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. Gjithashtu, është vendosur edhe personi i cili do të zëvendësojë Ahmetin, si shef i Qarkullimit Rrugor të Tiranës. Ai është Nazmi Shuli, i cili ka qenë shef i Rendit në Policinë e Tiranës. Kjo është hera e dytë që Ahmeti pezullohet nga detyra e tij si shef i Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Arsyeja ka qenë gjithmonë e njëjta, shkelja e disiplinës në punë. Sipas burimeve, ish-shefi i Qarkullimit Rrugor të Tiranës ka qenë duke lëvizur me makinë në zonën e Unazës së Re në datën 10 janar. Ndërkohë, para tij kanë qenë makinat e eskortës së Kryeministrit të vendit, Sali Berisha. Sipas burimeve, makina me të cilën është përplasur Ahmeti, ka qenë ajo e eskortës. Pas aksidentit, ish-shefi i Qarkullimit të Tiranës është larguar nga vendngjarja. Por, sipas burimeve, kanë qenë gardistët ata që e kanë njohur Ahmetin në timonin e makinës. Janë lajmëruar strukturat përkatëse dhe ditën e djeshme, nga ana e drejtuesve në Policinë e Tiranës, është vendosur që të pezullohet Ahmeti nga detyra. Kjo, pasi përbën vepër penale, nëse kryen aksident dhe largohesh nga detyra. Sipas burimeve, dyshohet se Ahmeti ka qenë i dehur, ndërsa ishte duke i dhënë makinës. Ahmeti është pezulluar nga detyra edhe më 9 korrik të vitit 2008. Ai akuzohej nga dy shtetas se kishte kryer veprime arbitrare në dëm të tyre. Vendimi u dha nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, por ai iu rikthye sërish vendit të tij të punës, pas urdhrit të Gjykatës së Apelit.

Pezullimi i parë

Vendimi nga gjykata e Tiranës për veprime arbitrare

Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës ka pezulluar më 9 korrik të vitit 2008 nga detyra shefin e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në kryeqytet, Krenar Ahmeti. Vendimi vjen vetëm një ditë pasi Prokuroria e Tiranes dorëzoi kërkesën në gjykatë për pezullimin e tij nga detyra pas denoncimit të dy shtetasve për arbitraritet gjatë ushtrimit të detyrës. Shkak është bërë kallëzimi penal i prokurores Elizabeta Bajri dhe bashkëshortit të saj avokat, të cilët akuzojnë Ahmetin për veprime arbitrare ndaj tyre. Prokuroria e Tiranës, prej dy javësh kryente verifikimet e kallëzimit penal të kryer ndaj komisar Ahmetit. Ngjarja për të cilën akuzohet ndodhi në 17 maj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë dy “Kullave binjake”. Prokurorja, Elizabeta dhe bashkëshorti i saj, Agron Bajri, janë shoqëruar me forcë në komisariatin numër 2 të Policisë së Tiranës, ku janë mbajtur të paktën 3 orë. Pas incidentit, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën. Prokurorja pretendoi se automjeti ku ndodhej dhe që drejtohej nga i shoqi, ishte ndaluar në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë shkak. Por më pas, Ahmeti u rikthye sërish në punë, pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Dytë në Tiranë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›