Buxheti 2012, 70 milionë dollarë investime për Tiranën
Basha: Trefishim investimeve publike. Projektbuxheti do të konsultohet me qytetarët para se të dërgohet për miratim në Këshillin Bashkiak. Zhvillimet në infrastrukturë, punësimi dhe mbështetja për biznesin janë tri shtyllat kryesore të buxhetit të ri.
Bashkia e Tiranës ka përfunduar hartimin e projektbuxhetit për vitin 2012, që do të jetë 70 milionë dollarë, e ku parashikohet trefishimi i investimeve publike. Por, para se ky dokument i rëndësishëm për kryeqytetin të dërgohet për miratim në këshillin bashkiak, në datën 28 dhjetor, ai do të konsultohet me qytetarët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha bëri dje publike disa nga detajet rreth projektbuxhetit të ri, që sipas tij, adreson një sërë problematikash të akumuluara ndër vite në qytetin e Tiranës. Kreu i Bashkisë theksoi se projektbuxheti i përmbahet plotësisht filozofisë qytetare, që qyteti fillon nga pragu i derës së çdo qytetari. “Qendra e vëmendjes së Bashkisë së Tiranës do të jetë kudo ku qyteti nis, përtej pragut të derës së çdo qytetari, çdo banese private, çdo pallati. Buxheti i vitit 2012 reflekton në radhë të parë një trefishim të investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këto 20 vite”, - u shpreh Basha. Punësimi, cilësia e jetës dhe infrastruktura janë shtyllat kryesore, mbi të cilat është hartuar projektbuxheti i vitit 2012. Në funksion të punësimit, si prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës janë parashikuar fonde për mbështetjen e biznesit, përmirësimin e klimës dhe krijimin e kushteve për investitorët dhe biznesin në qytetin e Tiranës, si dhe krijimi i një fondi të veçantë për nxitjen e punësimit. Lidhur me investimet e mëdha në infrastrukturë, që do të mbështeten me fonde nga buxheti i Bashkisë së Tiranës, projektbuxheti parashikon rehabilitimin e shesheve në zona të ndryshme të Tiranës, krijimin e hapësirave të gjelbra, rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrugëve në lagjet e qytetit, shkollat, kopshtet, çerdhet dhe ujësjellës-kanalizimet. “Projektbuxheti reflekton një shpërndarje të qartë të burimeve tona anembanë qytetit, pasi jemi konsultuar me kryetarët e 11 njësive bashkiake, pavarësisht ngjyrave partiake që përfaqësojnë. Projektbuxheti parashikon investimet më të mëdha në infrastrukturën e çdo lagjeje, në infrastrukturën e çdo blloku anembanë qytetit”, - ka pohuar Basha. Ndërkaq, kryebashkiaku ka garantuar se para se të kalojë për miratim në këshillin bashkiak, projektbuxheti do të konsultohet me qytetarët, duke nisur nga kjo javë. “Dy javët e ardhshme projektbuxheti do i nënshtrohet një konsultimi me publikun dhe me qytetarët, para se të marrë vulën e këshillit bashkiak”, - deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës. Gjithashtu, në projektbuxhet janë parashikuar fonde të veçanta, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës. Shërbimet sociale, qendrat sociale, banesat sociale asistenca sociale, mbrojtja e konsumatorëve etj., janë adresuar me fonde të veçanta në buxhetin e Bashkisë.
Projektbuxheti parashikon rehabilitimin e shesheve në zona të ndryshme të Tiranës, krijimin e hapësirave të gjelbra, rikonstruksionin dhe ndërtimin e rrugëve në lagjet e qytetit, shkollat, kopshtet, çerdhet dhe ujësjellës-kanalizimet
Çerdhet, zë i veçantë në buxhetin e ri
Ndërtimi, restaurimi dhe pajisja e çerdheve me të gjitha kushtet do të jetë një zë i veçantë në buxhetin e ri të Bashkisë së Tiranës. Ky fakt është bërë i ditur nga vetë kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Aurela, së bashku me ambasadorin e OSBE-së, Eugen Ëollfarth dhe bashkëshorten e tij Ana Maria, ishin dje në çerdhen numër 11, në Laprakë. OSBE ka mundësuar pajisjen e kësaj çerdheje me mjete të domosdoshme, si shtretër, dyshekë, frigoriferë, ngrohëse, peshqirë, batanije, çarçafë, tapete dhe një kënd lojërash, duke kontribuar kështu në përmirësimin e ndjeshëm të kushteve për 34 fëmijët e kësaj çerdheje, ndërkohë që babagjyshi i Vitit të Ri ka shpërndarë dhurata të veçanta dedikuar këtyre fëmijëve. Kryetari i Bashkisë tha se në buxhetin e vitit 2012, një vend të veçantë zë restaurimi i çerdheve dhe ndërtimi i çerdheve të reja, si dhe pajisja e tyre me të gjitha kushtet. Ndërkaq, Basha tha se në planifikimin afatmesëm të Bashkisë synohet që brenda dy viteve të ardhshme, numri i çerdheve në të gjithë territorin e qytetit të jetë i mjaftueshëm për të përmbushur kërkesat e qytetarëve, që sot janë disa herë më të larta sesa mundësitë për t’i përballuar. Ambasadori i OSBE-së nënvizoi domosdoshmërinë që të gjithë të japim pak më shumë dashuri dhe ngrohtësi për fëmijët jo vetëm për Krishtlindje, por edhe për muaj të tërë në vijim.