E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha merr "Ok" nga Suedia për statusin e vendit kandidat

Ministri i Punëve të Jashtme të Suedisë, Carl Bildt, siguroi shefin e diplomacisë shqiptare, Lulzim Basha, se presidenca suedeze do të mbështesë shqyrtimin sa më parë të aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit për vend anëtar në BE.

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, i mori mesazhet e palës suedeze gjatë vizitës së tij në Samitin e Dubrovnikut.

Gjithashtu, ministri i Jashtëm suedez u shpreh se vendi i tij do të mbështesë përmbylljen pa vonesë të procesit të liberalizimit të vizave në zonën Shengen për shtetasit shqiptarë. Ministri Basha informoi zotin Bild për procesin e formimit të koalicionit të ri qeverisës dhe objektivin e tij themelor, integrimin europian të vendit. Në këtë kuadër, Basha rikonfirmoi vendosmërinë e Shqipërisë për të ecur përpara me të gjitha reformat e domosdoshme për integrimin europian të vendit. Në këtë samit, të organizuar nga qeveria e Kroacisë në bashkëpunim me qeverinë e Suedisë, vend që mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, morën pjesë kryeministra, ministra të Punëve të Jashtme dhe zyrtarë të lartë të rajonit të vendeve anëtare të BE-së, të Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe NATO-s. Temat kryesore të këtij samiti ishin perspektiva euroatlantike e Ballkanit Perëndimor, forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit rajonal dhe i bashkëpunimit në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe ambientit. Pjesëmarrësit vlerësuan anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO si një shembull i qartë se reformat dhe vullneti politik për t‘i realizuar ato janë vendimtare në arritjen e objektivave të integrimit euroatlantik të rajonit. Gjatë samitit u theksua se perspektiva e qartë europiane e rajonit është domosdoshmëri dhe motiv për të thelluar reformat në këto vende. Liberalizimi i vizave brenda vitit 2010 për vendet e Ballkanit Perëndimor u vlerësua si një objektiv i rëndësishëm në rrugën e integrimit europian të këtyre vendeve.

Në Samit u vlerësua se për të pasur një Europë të bashkuar dhe të lirë është e domosdoshme që asnjë vend të mos shmanget nga projektet dhe nga gjurmët e gazsjellësve transnacionalë dhe se burimet energjetike duhet të diversifikohen. Të pranishmit në samit diskutuan edhe për një numër projektesh konkrete të përbashkëta rajonale në fushën e infrastrukturës, energjisë dhe ambientit. Në takimin që zhvilloi me ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, e cila mban presidencën e radhës së BE-së, Carl Bildt, dhe me Robert Kuper, drejtor i Përgjithshëm në Sekretariatin e Këshillit Europian, ministri Basha informoi rreth ecurisë së procesit zgjedhor në Shqipëri. Bashkëbiseduesit vlerësuan procesin zgjedhor si një test i maturisë së klasës politike në Shqipëri. Gjatë punimeve të samitit, ministri Basha u takua dhe bisedoi dhe me një numër të madh homologësh dhe zyrtarësh të lartë të pranishëm në samit, si ministrat e Jashtëm të Maqedonisë, Kroacisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, zv.sekretarin amerikan të Shtetit, Steinberg, sekretarin e shtetit të Kanadasë, Keddy, kryeministrat e Kroacisë, Kosovës dhe Malit të Zi, të cilët shprehën urimet dhe konsideratat e tyre për procesin zgjedhor në Shqipëri dhe fitoren e koalicionit të udhëhequr nga Kryeministri Berisha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›