E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, KQZ-ja ndan mandatet e deputetëve



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi dje shqyrtimin e ndarjes së mandateve të 12 qarqeve të vendit, ndërkohë që ditën e hënë pritet vendimi përfundimtar. Nga ky vendim janë ndarë edhe 6 mandate të cilat tepronin nga përpjesëtimi i popullsisë dhe u mor vendimi që ato të ndahen në bazë të mbetjes dhjetore më të madhe. Qarku i Tiranës do të ketë 32 mandate. Qarku i dytë me numrin më të madh të deputetëve do të jetë Fieri, me 16 deputetë. Ndërsa qarku i Elbasanit renditet i treti, duke përfituar 14 deputetë. Qarku i katërt që do të përfitojë më shumë është Durrësi me 13 deputetë. Qarqet e tjera më pas vijnë Korça dhe Vlora, që kanë të njëjtin numër mandatesh, do të kenë secili qark nga 12 deputetë. Qarqet e tjera: Shkodra do të ketë 11 deputetë, Lezha me 7 deputetë, Kukësi me 4 deputetë, Dibra me 6 deputetë, Berati me 8 deputetë dhe Gjirokastra me 5 deputetë. Numri total i shtetasve, 4.295.977, është pjesëtuar me numrin 140 të mandateve të Kuvendit, ku është përcaktuar numri 30.686, si numri mesatar i shtetasve që i takojnë çdo mandati. Numri i shtetasve për çdo zonë zgjedhore është pjesëtuar me numrin mesatar të shtetasve që i takojnë çdo mandati, 30.686, dhe çdo zone zgjedhore i është caktuar një numër mandatesh i barabartë me numrin e plotë të përftuar nga ky pjesëtim. Pas këtij veprimi, ngelen pa u shpërndarë edhe 6 mandate. Në bazë të nenit 75, pika 5 të Kodit Zgjedhor, këto mandate u janë shpërndarë zonave zgjedhore (qarqeve) që kanë mbetjen më të madhe pas presjes dhjetore, të numrit të përftuar nga pjesëtimi i mësipërm, që janë Berati, Elbasani, Fieri, Korçë, Kukësi dhe Lezha

Mandatet

Qarku Berat 8 mandate

Qarku Dibër 6 mandate

Qarku Durrës 13 mandate

Qarku Elbasan 14 mandate

Qarku Fier 16 mandate

Qarku Gjirokastër 5 mandate

Qarku Korçë 12 mandate

Qarku Kukës 4 mandate

Qarku Lezhë 7 mandate

Qarku Shkodër 11 mandate

Qarku Tiranë 32 mandate

Qarku Vlorë 12 mandate

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›