Uillson: Korrupsioni, problem në nivel lokal
Ambasadori britanik në Tiranë, Frezer Uillson, shpreh shqetësimin se korrupsioni është më problematik në nivel lokal. Diplomati anglez mori pjesë dje në tryezën e prezantimit të një projekti në lidhje me problematikat e korrupsionit në Shqipëri. Sipas tij: “Raporti i progresit për Shqipërinë për 2008-n nga Komisioni Evropian citon se korrupsioni ngelet një problem veçanërisht serioz për Shqipërinë”. “Korrupsioni nuk mund të adresohet vetëm në kryeqytet, duhet të luftohet në Tiranë dhe në periferitë e saj”, - u shpreh ambasadori Uillson. Ambasadori Uillson pohoi se kryetarët e bashkive, por edhe anëtarët e këshillave bashkiakë do të jenë në pushtet deri në vitin 2011, ndaj duhet të prezantohen mjete të reja lokale për luftimin e korrupsionit. Njëkohësisht edhe drejtuesja e projektit tha se me rritjen e decentralizimit, pushteti lokal ka më shumë përgjegjësi në luftimin e korrupsionit.
Reporterët e KE-së mbërrijnë në Tiranë
Reporterët e Këshillit të Evropës mbërritën dje në Tiranë ku përgjatë tri ditëve do të zhvillojnë takime me përfaqësuesit e politikës dhe qeverisë. Ata nisën axhendën e takimeve me deputetin Aleksandër Bideraj si dhe me kreun e opozitës, Edi Rama. Misioni i tyre do të përmbajë diskutime me ambasadorët e shteteve të BE-së në Tiranë, Presidentin Topi, kryeparlamentaren Topalli, si dhe parashikohet edhe një takim me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese për ankimimet e ligjit të dosjeve. Ardhja e këtij delegacioni monitorimi të Këshillit të Evropës u njoftua pas seancës së Strasburgut, ku delegacioni shqiptar njoftoi se kishte ndryshuar kreun Biberaj. Edhe pse kredencialet e të zgjedhurit të ri, Rusmali u miratuan, KE-ja vendosi të dërgojë në Tiranë dy reporterë monitorues për të verifikuar problematikën e rastit Biberaj. Pritet edhe hartimi i një raporti për ligjin e lustracionit. Reporterët do të përgatisin një raport në lidhje me vizitën e tyre në Shqipëri.
Dojset, Roshi: Ligji mënjanon ish-sigurimsat
Ballistët e Artur Roshit konsiderojnë se ligji i sapomiratuar në Kuvend për hapjen e dosjeve mënjanon nga jeta publike njerëzit me mendësinë komuniste të së kaluarës. PBDK-ja vlerësoi dje se sado i butë, miratimi i ligjit të lustracionit është një hap pozitiv. “Sepse nëpërmjet tij mënjanohen njerëz që mbartin mentalitetin e së kaluarës. Mentalitetet mbarten nga njerëz dhe si të tillë ata që i mbartin këto mentalitete duhet të shmangen nga drejtimi i shoqërisë”, - tha z. Artur Roshi. Po dje, ai foli dhe për mënyrën e përfaqësimit të PBDK-së në zgjedhjet e reja parlamentare të 28 qershorit. Sipas ballistëve, vetëm një aleancë me PD-në në zgjedhjet e reja do të siguronte një rezultat pozitiv për të djathtët.