E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentati ndaj gjyqtarit, debat në Kuvend



Atentati ndaj gjyqtarit Ardian Nuni ka shkaktuar dje në Kuvend një debat politik, ku opozita akuzoi se atentati ka pasur si synim presionin ndaj sistemit gjyqësor. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, deklaroi se plumbat ndaj gjyqtarit Nuni kanë si qëllim rritjen e presionit ndaj sistemit të drejtësisë për shkak se ky organ gjyqësor është përgjegjës për hetimin e shumë aferave. Ai akuzoi ashpër qeverinë se po tenton të kontrollojë sistemin e drejtësisë. Por mazhoranca reagoi menjëherë. Fillimisht deputeti i PD-së, Ferdinand Xhaferaj, tha se akuzat e Braçes janë absurde dhe deklaroi se opozita po bën politikë jo të pastër. Reagim pati edhe nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, i cili dha garanci se ngjarja do të zbardhet nga ana e policisë shqiptare. “Pa dyshim që akti i atentatit ndaj gjyqtarit është një akt i rëndë kriminal, ndaj dua të informoj se është ngritur një grup hetimor, që po heton intensivisht së bashku me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Garantoj deputetët se kjo ngjarje do të zbardhet plotësisht dhe autori i këtij krimi të rëndë do të vihet përballë drejtësisë. Kjo është një garanci e cila vjen edhe për shkak të atij standardi që Shqipëria ka arritur jo vetëm me goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve, por dhe me zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale, të cilat kanë ndodhur vitet e kaluara”, - tha Nishani në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›