Prifti: Sondazhi ynë, LSI-ja merr 37 deputetë
Lëvizja Socialiste për Integrim publikoi dje në Kuvend disa shifra që sipas saj, janë të një sondazhi të bërë nga një kompani e huaj në Shqipëri gjatë muajit janar. Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, tha se në zgjedhjet e ardhshme, më shumë mandate do të fitojë PD-ja, përkatësisht 56, por që sipas tij, zgjedhjet i fiton e majta. Ai tha se LSI-ja ka zhvilluar sondazhin e saj sipas të cilit, LSI-ja do të marrë 37 mandate deputetësh dhe e majta në tërësi do të marrë 84 vende në Kuvend. “Në tre qarqe, PBDNJ-ja është mbi 10% dhe merr 3 deputetë. Në tre qarqe Poli i Lirisë është 9 për qind e sipër dhe merr 3 deputetë. Dhe, të gjitha këto sondazhe që dalin nga këto dy forca politike, u kthejnë shqiptarëve të vërtetën. Që ta ketë parasysh Berisha, 56 deputetë merr e gjithë PD-ja nga sondazhet e janarit dhe 84 deputetë janë ata që merr e majta në sondazhet e janarit, nga të cilët 47 PS-ja dhe 37 LSI-ja. Thojini popullit të vërtetën. Nuk keni për t’i manipuluar zgjedhjet. Ne do të sjellim 500 vëzhgues nga e gjithë bota për t’i monitoruar. Harrojini manipulimet”, - tha Prifti në Kuvend. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Prifti lexoi rezultatet e sondazhit të zhvilluar nga LSI-ja në të gjitha qarqet e vendit. Ai tha se tri qarqe do të fitohen nga Lëvizja Socialiste për Integrim.