Sondazhi i “Gani Bobit”: PD, fituese e zgjedhjeve
Partia Demokratike udhëheq me një epërsi prej 12 për qind më shumë se Partia Socialiste. Këtë përqindje publikoi dje qendra e njohur “Gani Bobi” e drejtuar nga publicisti kosovar Shkëlzen Maliqi. Kjo qendër ka organizuar në Shqipëri gjatë muajit dhjetor të vitit 2008, pra vetëm 1 muaj e gjysmë më përpara, një sondazh me të anketuar në të gjithë Shqipërinë. Të dhënat e sondazhit tregojnë se në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në muajin dhjetor, atëherë PD-ja do t’i fitonte këto zgjedhje me epërsi të ndjeshme. “Sipas të dhënave, në rast se zgjedhjet do të zhvilloheshin në dhjetor të vitit 2008, kur kemi zhvilluar anketat, Partia Demokratike do të kishte fituar”, - theksoi Shkëlzen Maliqi. Publicisti kosovar bëri dje të ditur se nisur nga numri i anketave, ku janë pyetur në të gjithë vendin 747 qytetarë, marxhi i gabimit nuk mund të jetë më i madh se 2 për qind. Ky sondazh është asistuar në përgatitjen e tij edhe nga tri organizata amerikane të njohura në fushën e sondazheve. Ato janë organizatat “Penn”, “Schen” dhe “Berland”. Këto organizata kanë përgatitur pyetjet specifike me të cilat janë pyetur qytetarët shqiptarë.
Shifrat
Sipas sondazhit, në të gjithë Shqipërinë janë pyetur 747 qytetarë shqiptarë. Kjo punë është bërë nga një numër ekspertësh të qendrës “Gani Bobi”. Në javën e parë të muajit dhjetor, nga pyetja e qytetarëve, doli se në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në dielën e parë të muajit dhjetor, PD-ja do të fitonte me 48 për qind, PS-ja do të merrte 37 për qind, LSI-ja do të merrte 6 për qind, G99-a rreth 3 për qind dhe 12 parti të tjera të vogla shqiptare do të merrnin së bashku 4 për qind. Pra, në këtë sondazh të parë, PD-ja kryeson me 11 për qind. Në javën e dytë rezultati tregon PD-në në përmirësim. Në rast se zgjedhjet do të mbaheshin të dielën e dytë të muajit dhjetor 2008, atëherë PD-ja do të fitonte zgjedhjet me 49 për qind, e ndjekur nga PS-ja me 37 për qind, LSI-ja me 6 për qind, G99-a me 2,3 për qind dhe partitë e tjera të vogla, së bashku 3,7 për qind. Në javën e dytë PD-ja kryeson me 12 për qind më shumë se PS-ja. Në rast se zgjedhjet do të mbaheshin javën e tretë të muajit dhjetor, PD-ja përsëri do të fitonte me 48.2 për qind të votave, e ndjekur nga PS-ja me 37,7 për qind dhe më pas nga LSI-ja me 7.1 për qind, G99-a me 2.5 për qind dhe partitë e tjera 4,5 për qind të gjitha së bashku. Sondazhi vlerëson se PD-ja udhëheq bindshëm me një avantazh të dukshëm, i cili është i paprekshëm dhe në rritje, ndërsa PS-ja ka një ngecje e cila nuk kalon 37-përqindëshin e votave. Një pjesë e votave kanë kaluar edhe tek LSI-ja, që sipas Maliqit, “një pjesë e votave të majta kanë kaluar nga PS-ja te LSI-ja”. I pyetur nga media në lidhje me rezultatin e G99-s, Shkëlzen Maliqi tha se tek partitë e vogla është shumë e vështirë përcaktimi. “Me partitë e mëdha marxhi i gabimit nuk është më i madh se 2 për qind, është i qartë rezultati, ndërsa me partitë e vogla është e vështirë, pasi shumë prej tyre janë lokale, kanë një elektorat të përqendruar, nuk e kanë si partitë e mëdha, ndaj dhe marxhi i gabimit është më i madh, i cili shkon deri në 4 për qind”, - tha Maliqi.
Koalicionet, e djathta shumicën
E majta në Shqipëri ka mbrojtur idenë se shumicat e votave në elektorat janë të majta dhe humbja ka ndodhur për shkak të sistemit. Sondazhi i “Gani Bobit” tregon diçka të kundërt. E djathta ka shumicën. Në rast se në mesin e muajit dhjetor, PD-ja udhëhiqte e vetme me 49 për qind, votat e PS-së, LSI-së dhe G99-s nuk kalojnë 45.3 për qind. Në këtë periudhë, 12 parti të tjera të vogla nuk kanë më shumë se 3,7 për qind. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe publicisti kosovar, Maliqi, i cili tha se e djathta ndodhet në avantazh.
Partitë, kryeson PD-ja
Sondazhi i “Gani Bobit” teston qytetarët me qëndrimin që ata kanë ndaj partive politike. Pra, pyetja ishte për parti të caktuara në rast se e shikon atë parti si pozitive apo negative, pra si parti që ka vlera ose jo. Sipas këtij sondazhi, 53.7 për qind e qytetarëve e shohin PD-në si parti pozitive me vlera, ndërsa 42.3 për qind mendojnë të kundërtën. Për sa i përket PS-së, 46.3 për qind e qytetarëve e shohin si parti pozitive me vlera, por 48.3 për qind, pra shumica, e shohin si parti negative ose pa vlera. LSI-ja ka një vlerësim negativ në këtë çështje pasi 69.3 për qind e qytetarëve e shohin si parti negative dhe vetëm 29.7 për qind e shohin si parti me vlera. G99-a ka një rezultat sipas të cilit vetëm 34.9 për qind e qytetarëve e shohin si parti me vlera, ndërsa shumica prej 38.4 për qind e shohin si parti negative.
Liderët, kryeson Topi
Edhe preferencat për liderët politikë janë pjesë e pyetësorit të “Gani Bobit”. Presidenti i vendit shihet me sy pozitiv më shumë se çdo lider tjetër politik. Ai vlerësohet nga 76.7 për qind e qytetarëve, por shihet si negativ nga 18.9 për qind e qytetarëve. Edi Rama ka një vlerësim pozitiv prej 53.7 për qind, Jozefina Topalli 56.1 për qind, Sali Berisha 45.9 për qind, Ilir Meta 33.7 për qind dhe Fatos Nano me 32.3 për qind. Pyetja tjetër në sondazh kishte të bënte edhe me kryeministrin e preferuar, sipas së cilës, 35.1 për qind e qytetarëve preferojnë Ramën, 34.9 për qind Berishën dhe vetëm 9.9 për qind preferojnë Ilir Metën.
Qendra “Gani Bobi” do të nisë një projekt në Shqipëri, i cili do të asistohet nga Tv Klani, do të zhvillojë çdo muaj nga një sondazh ku do të nxjerrë rezultatet. Njëkohësisht, Shkëlzen Maliqi tregoi se në zgjedhjet e këtij viti qendra e tij do të zhvillojë edhe “Exitpole”, pra do të nxjerrë rezultatet fiks pas mbylljes së qendrave të votimit.
PD, asnjë rrjedhje votash në vitin 2008
Gjatë vitit 2008, partia në pushtet, PD-ja, nuk ka pasur rrjedhje votash. Një gjë të tillë e konfirmoi dje drejtori i qendrës humaniste “Gani Bobi”, Shkëlzen Maliqi. Ai tha se në fillim të vitit 2008, qendra e tij kishte zhvilluar një sondazh të fshehtë i cili ishte kërkuar nga një subjekt politik në Shqipëri. Sipas Maliqit, kjo forcë politike nuk pranoi ta publikonte atë sondazh, por Maliqi tha se “rezultatet e dala në fillim të vitit 2008 ishin pothuaj të njëjta me fundin e vitit”. Ai theksoi se sondazhi i bërë për partinë politike u bë para ngjarjes së Gërdecit dhe pavarësisht sulmit agresiv të opozitës gjatë vitit 2008, sipas sondazheve të “Gani Bobit”, PD-ja nuk ka humbur vota.