E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, KQZ kthen listat e 31 partive

Vetëm pesë parti kanë mundur të regjistrojnë zyrtarisht listat e tyre. Ndërmjet tyre është PD-ja dhe LSI-ja


Vetëm 5 parti kanë mundur që të kalojnë me sukses provën e regjistrimit të listave të kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa 31 të tjera kanë mbetur në klasë. Shkaqet kanë qenë të ndryshme, por më kryesoret kanë qenë të lidhura me problemin e mosplotësimit të kuotës së përfaqësimit të femrave, si dhe me problemin e dokumenteve të identifikimit të kandidatëve.

Të vetmet që kanë paraqitur një dokumentacion të rregullt konform kërkesave të Kodit Zgjedhor, kanë qenë vetëm Partia e Gjelbër Shqiptare, Partia e Emigrantëve, Lëvizja Socialiste për Integrim,
Lëvizja e Legalitetit dhe Partia Demokratike. Me përjashtim të Partisë Demokratike, e cila mundi të plotësojë kuotën e përfaqësimit të femrave në masën e 30 për qindëve nëpërmjet një hileje të bërë me interpretimin e Kodit Zgjedhor, asnjëra prej katër partive të tjera që kanë mundur të regjistrohen që në raundin e parë të diskutimit të listave, nuk kanë patur probleme të asnjë lloji.


Ndërsa të 31 forcat e tjera që u kthyen për riplotësim dokumentacioni, kanë patur një sërë mangësish, si në materialet shoqëruese, ashtu edhe në përfaqësimin e secilës gjini. E pafat mund të themi se ka qenë PS-ja, e cila vetëm se nuk plotësonte kuotën e 30 për qindëve në Lezhë nuk mundi të regjistrohej. Ndërkohë, midis forcave që nuk u regjistruan, kryesisht ndërmjet atyre të voglave, ka qenë si problem themelor mungesa e pasaportave si mjet identifikimi.


Shumë prej kandidatëve të këtyre forcave kanë paraqitur si mjet identifikimi pasaporta të skaduara, ose letërnjoftime të lëshuara gjatë sistemit komunist. Ka patur edhe forca të tilla, siç është rasti i Partisë Aleanca Maqedonase, ku disa prej kandidatëve kishin paraqitur si mjet identifikimi letërnjoftime maqedonase. Problemi i mosplotësimit të kuotave të barazisë gjinore ka qenë gjithashtu një tjetër problem që është hasur pothuajse në shumicën dërmuese të forcave që u kthyen nga KQZ-ja.


Por, ndërsa shumica e tyre kishin pasaktësi për shkak të mos plotësimit të kuotave të përfaqësimit të femrave, nuk kanë munguar as rastet, si ai Partisë Rruga e Lirisë, e cila në Qarkun e Korçës nuk e kishte respektuar ligjin për barazinë gjinore, se në këtë listë kishte vetëm një mashkull. Të gjitha forcat e kthyer prej KQZ-së duhet të bëjnë rregullimet përkatëse brenda ditës së mërkurë, kur dhe skadon afati i regjistrimit të listave nga ky komision.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›