Islami: Kartat, qeveria po rrezikon zgjedhjet
Sekretari socialist i kërkon Ministrisë së Brendshme që të publikojë listat e personave që mbeten pa aplikuar për karta
TIRANË- Partia Socialiste ka denoncuar dje situatën shqetësuese të procesit të kartave të identitetit në prag të zgjedhjeve. Sekretari socialist për çështjet elektorale, Kastriot Islami, i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme që të publikojë listat. Duke iu referuar një materiali të publikuar në media, Islami ka pohuar se militante të PD-së shpërndajnë kuponë tek militantët e PD-së, të cilët për më tepër kanë certifikata false.
"Kjo implikon rëndë shërbimin postar, zyrat e gjendjes civile, si dhe Ministrinë e Brendshme. I kërkojmë Prokurores së Përgjithshme të fillojë menjëherë hetimet për këtë rast që nuk është i veçuar",- tha dje Islami. Sipas tij, kjo rrezikon shumë zgjedhjet, pasi tregohet se letërnjoftimi është lehtësisht i falsifikueshëm.
Ky nuk ka qenë shqetësimi i vetëm i paraqitur prej socialistëve, të cilët kanë paraqitur edhe shifrat e aplikuesve për letërnjoftimet e reja. "Në dhjetëditëshin e dytë të majit, nga të dhënat e Ministrisë së Brendshme rezulton se nuk kanë arritur të kryhen më shumë se rreth 70 mijë aplikime të votuesve pa pasaportë. Shifra e aplikimeve prej 353 mijë për votuesit pa pasaportë dhe ritmi prej rreth 60-70 mijë aplikime në çdo 10 ditë, lejon të arrihet në përfundimin se deri më 12 qershor 2009 nuk mund të ketë më shumë se 450-460 mijë aplikime të votuesve pa pasaportë",- tha Islami.
Parashikimet e PS-së për momentin nuk janë vërtetuar ende, por nëse ato do të rezultonin të sakta, i gjithë procesi zgjedhor do të rrezikohej tej mase. Për momenti matematika i jep ende mundësi mazhorancës që të premtojë se do arrijë të shpërndajë kartat deri në fund të procesit.
"Për të mos abuzuar me listën e votuesve pa pasaportë që do të mbeten pa aplikuar, i kërkoj ministrit të vërë në dispozicion të Komisionit ad hoc dhe të OSBE/ODHIR-it listën e votuesve pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar. Për më tepër, ky është detyrim i shkruar në VKM-në e datës 1 maj 2009. Kjo është kërkesa e parë publike, realizimi i së cilës duhet të monitorohet edhe nga OSBE/ODHIR-i.
Prandaj i bëj sot ministrit kërkesën e dytë publike për listën e të gjithë votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar dhe/ose listën e azhurnuar të votuesve pa pasaportë që ende nuk ka aplikuar, për të vlerësuar me saktësi se çfarë kategorish përfaqësojnë ata që do të mbeten pa aplikuar. Kjo është një kërkesë që bëhet me forcë sot, rreth 35 ditë para zhvillimit të zgjedhjeve dhe ju paralajmëroj se këtë debat do ta shikoni shumë të nxehtë deri në dy javët e fundit para zgjedhjeve, nëse nuk do të gjendet zgjidhje tjetër për këtë kategori votuesish",- tha dje Islami.
REAGIMI
Ministria: Të gjithë do të marrin letërnjoftime
TIRANË- Ministria e Brendshme ka kundërshtuar informacionet e socialistëve, duke thënë se "procesi po funksionon me kapacitetin e tij maksimal". Shifrat zyrtare të kësaj ministrie tregojnë se deri më datën 22 maj kanë aplikuar 1 milion e 50 mijë shtetas, prej të cilëve 420.000 nga grupi i atyre pa pasaportë. Janë prodhuar 890.000 letërnjoftime, 520.000 prej të cilëve janë tërhequr tashmë prej qytetarëve.
"Ministria e Brendshme vazhdon t'u bëjë thirrje qytetarëve të paraqiten për të tërhequr letërnjoftimet e prodhuara. Lista emërore e rifreskuar e personave pa pasaportë i është dërguar Partisë Socialiste më datën 5 maj 2009, ndërsa informacioni më i fundit për procesin i është dërguar më datën 20 maj 2009. Çdo korrespondencë dhe informacion i dërguar mund të gjendet gjithashtu në faqen elektronike zyrtare të Ministrisë së Brendshme",- thanë dje burimet zyrtare të Ministrisë së Brendshme. Sipas tyre, askush nuk do të mbetet pa u pajisur me letërnjoftimin elektronik.