E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, Kushtetuesja u lë kolegëve dhe vetes makinat



Ligji për heqjen e makinave për zyrtarët e shtetit nuk do të jetë i barabartë për të gjithë, pasi gjyqtarët, ndryshe nga zyrtarët e tjerë, do të përdorin makina shteti. Gjykata Kushtetuese vendosi dje të pranonte kërkesën e Shoqatës së Gjyqtarëve, duke anuluar nenet e ligjit të miratuar nga Kuvendi, i cili u heq zyrtarëve të drejtësisë makinat shtetërore për të ulur shpenzimet e mëdha të transportit. Kështu, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, u anuluan nenet që i hiqnin makinën kryetarit dhe gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kryetarit dhe gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, kryetarëve dhe gjyqtarëve të gjykatave të apelit e të shkallës së parë. Vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën për veten e tyre se duhet të mbajnë makinat zyrtare, madje këtë “nder” u bënë edhe zyrtarëve të tjerë të drejtësisë që ligji u hoqi makinat. Pretendimi i Gjykatës Kushtetuese për anuluan e neneve ku prekej edhe vetë, ishte se “mund të sjellë pasoja të pariparueshme për institucionet gjyqësore”. Ende nuk është shënuar ndonjë ankesë nga ndonjë shoqatë tjetër që kundërshton këtë ligj, pasi me këtë pretendim, ndoshta i gjithë ligji do të binte poshtë. “Në përfundim të shqyrtimit të çështjes, mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, duke çmuar se zbatimi i menjëhershëm i dispozitave të ligjit objekt shqyrtimi mund të sjellë pasoja të pariparueshme për institucionet gjyqësore, vendosi të urdhërojë pezullimin e zbatimit të nenit 2, pika 1 dhe 2, nenit 3, 4 dhe 6 të ligjit nr. 10160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civil”, për sa u përket pikave 17 dhe 19 të lidhjes nr. 2, bashkëlidhur ligjit, derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, - bënë me dije burimet zyrtare në Gjykatën Kushtetuese. Konkretisht, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë i kërkoi Gjykatës Kushtetuese pezullimin e zbatimit të dispozitave: “... pikës 1 dhe 2 të nenit 2, nenit 3 dhe nenit 4 të ligjit nr. 10160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civil” për sa përfshijnë në fushën e zbatimit të tyre funksionarët publikë vijues: kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin dhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, kryetarët dhe gjyqtarët e gjykatave të apelit e të shkallës së parë; të nenit 6 të ligjit nr. 10160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civil” për sa përfshijnë në fushën e zbatimit të tij institucionet kushtetuese të pavarura vijuese: Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe gjyqtarët e gjykatës së apelit dhe të shkallës së parë”.

Një tjetër detaj është se gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2009, u vu re se Gjykata e Lartë kishte kërkuar 28 milionë lekë të reja për të blerë makina shtesë. Nga ana tjetër u kërkuan edhe 12 milionë lekë për disa gjykata të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›