E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni çon në pranga 4 zyrtarët e ALUIZNI-t në Shkozet

Policia arreston Qamil Byrberin, Rexhep Kuçanën, Gjon Doçin dhe Gentiana Gjepalin

Albert Gjoka

DURRËS – Thuajse të gjithë anëtarët e zyrës së Legalizimeve të Zonave Informale në Shkozet janë arrestuar pasi u merrnin para qytetarëve në këmbim të përshpejtimit të procedurave të ligjërimit të objekteve të tyre. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Durrësit bënë të ditur mbrëmë se kanë prangosur shtetasit: Qamil Byrberi, drejtues i zyrës së ALUIZN-it në Shkozet; Rexhep Kuçana, përgjegjës i grupit të kontrollit të territorit; Gjon Doçi, specialist dhe Gentiana Gjepali, me detyrë përgjegjëse e grupit të kontrollit. Sipas tyre, të gjithë zyrtarët e kësaj zyre në Shkozet dyshohet se merrnin para në këmbim të realizimit të procedurave të legalizimeve. Hetimet për skemën abuzive nisën disa javë më parë dhe vetëm pasditen e së premtes u bë e mundur që të finalizohet operacioni i koduar me emrin “Legalizimi”.

Arrestimet

Burimet policore bëjnë të ditur se “në bazë të një hetimi disamujor të kryer nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik në Durrës, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar, si dhe me njësinë e përbashkët hetimore pranë Prokurorisë, u bë i mundur finalizimi i operacionit të koduar me emrin “Legalizimi”. Dy ditë më parë, Prokuroria e rrethit bregdetar kishte lëshuar disa urdhra për ekzekutimin e katër vendimeve për arrestimin e katër personave. Zëdhënësja e Policisë, Ornela Cako, bën të ditur se janë arrestuar shtetasit Qamil Byberi, shefi i Zyrës së ALUIZNI-it në Shkozet; Rexhep Kuçana, përgjegjës i grupit të kontrollit të territorit pranë zyrës së ALUIZNI-t në Shkozet; Gjon Doçi, me detyrë specialist terreni dhe Gentiana Gjepali, përgjegjëse e grupit të kontrollit të territorit. Në bazë të vendimeve të Gjykatës së rrethit Durrës, ndaj shtetasve Qamil Byberi, Rexhep Kuçana dhe Gjon Doçi është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” dhe ndaj shtetases Gentiana Gjepali masa e sigurisë “arrest shtëpie” për veprat penale të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorimit të detyrës.

Skema e korrupsionit
Pikërisht në momentet kur procesi i legalizimeve është në fazën përmbyllëse, shfaqen skemat e abuzimit dhe korrupsionit. Personat e arrestuar bënin ligjërimin e objekteve informale në kundërshtim me ligjin, duke iu marrë qytetarëve shuma të konsiderueshme parash, të cilat shkonin deri në 1 mijë euro. Zëdhënësja e Policisë thotë se “në bazë të hetimit të kryer, dyshohet se shtetasit e mësipërm, gjatë kryerjes së funksioneve të tyre si punonjës të Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit e Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale të qarkut Durrës, kanë kryer veprime në kundërshtim me detyrën dhe akte korruptive gjatë procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje”. Sipas saj, “këta persona dyshohet se kundrejt ryshfetit kanë kryer legalizime për ndërtime të papërfunduara brenda afatit të lejuar, apo kanë legalizuar për klientët e tyre më shumë ndërtime sesa këta të fundit kishin realisht”. Në bazë të hetimit rezulton se veprime të tilla janë kryer kundrejt shumave që varionin nga 30 000 lekë deri në 1000 euro, në varësi të madhësisë së ndërtimit të legalizuar. Burimet policore pohojnë se vazhdon puna hetimore pasi dyshohet se ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive. “Materialet procedurale në ngarkim të katër zyrtarëve të ALUIZN-it në Durrës i kaluan për ndjekje organit të Prokurorisë”, - përfundojnë burimet policore.
Tashmë që procesi i legalizimeve është në fazën e tij përmbyllëse dhe në momentet kur janë shpallur listat e emrave që do të ligjërojnë shtëpitë e tyre, shfaqen skema të tilla korruptuese në momentet e verifikimeve në terren. Për t’iu shmangur detyrimeve ndaj shtetit, shumë persona tentojnë të fshehin të dhënat, ashtu siç ka edhe raste të ndërtimeve të objekteve pa leje pas tejkalimit të afateve të përcaktuara me ligj.

TË ARRESTUARIT

Qamil Byberi, 65 vjeç, lindur në Tropojë e banues në Durrës, me detyrë drejtues i Zyrës së ALUIZNI-t në Shkozet

Rexhep Kuçana, 52 vjeç, lindur e banues në Durrës, me detyrë përgjegjës i grupit të kontrollit të territorit pranë zyrës së ALUIZNI-t në Shkozet

Gjon Doçi, 49 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Durrës, me detyrë specialist terreni pranë zyrës së ALUIZNI-t në Shkozet

Gentiana Gjepali, 38 vjeçe, lindur në Durrës dhe banuese në Shijak, me detyrë përgjegjëse e grupit të kontrollit të territorit pranë zyrës së ALUIZNI-t në Shkozet

Ekzekuton 37-vjeçarin, tenton të vrasë edhe veten me armën e krimit

PEQIN – Një vrasje tjetër trondit rendin dhe sigurinë. Pasditen e djeshme, rreth orës 17:10, shtetasi Sami Hasa ka qëlluar me armë zjarri mbi Dritan Dajën, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme dhe më pas ka tentuar t’i japë fund jetës. Ngjarja ndodhi në qytetin e Peqinit. Policia e qarkut të Elbasanit ende nuk ka bërë të qarta motivet dhe shkaqet e krimit. Por autori, 40-vjeçari Hasa, ndodhet i shtruar në Spitalin e Peqinit në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai po mbahet në ruajte nga forcat e policisë dhe pritet që t’i komunikohet masa e arrestit në mjediset spitalore. Blutë e Peqinit kanë nisur menjëherë të hetojnë ngjarjen, por shkaqet për këtë krim janë ende të paqarta.

Durrës, arrestohet shpërndarësi i heroinës

DURRËS – Një shpërndarës me pakicë i lëndëve narkotike në qytetin e Durrësit ka rënë në pranga. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje, rreth orës 10:00 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Durim Dollaku, 35 vjeç, banues në Lagjen Nr. 9 në qytetin bregdetar. I prangosuri është dënuar edhe më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Zëdhënësja e Policisë së qarkut, Ornela Cako, pohon se arrestimi i Dollakut u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij mëngjesin e djeshëm, rreth orës 07:10, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 6.30 gramësh lëndë narkotike, e dyshuar si heroinë, e ndarë në 15 doza, gati për shitje. “Materialet për veprën penale të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike i kaluan për ndjekje Prokurorisë së rrethit Durrës”, - përfundojnë burimet policore.

Luftë me kallash në qytetin e Korçës, shpallet në kërkim autori

KORÇË - Të shtënat me armë kanë shkaktuar panik në qendër të qytetit të Korçës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 përpara Katedrales, kur 25-vjeçari Majkëll Hysolli, i shoqëruar nga një person tjetër, po udhëtonte me një automjet me targa italiane.
Papritur autori, Olgert Mustafa, ka nisur të qëllojë me kallashnikov në drejtim të automjetit, por fatmirësisht asnjë prej 7 plumbave nuk ka shkaktuar të lënduar.
Menjëherë pas ngjarjes autori është larguar në drejtim të paditur, ndërsa policia ka nisur hetimet. Paraprakisht mendohet se shkak i kësaj ngjarjeje të ketë qenë ndonjë konflikt mes dy të rinjve, pasi 25-vjecari Hysolli rezulton me precedentë të mëparshëm penalë. Policia është vënë në ndjekje të autorit duke vijuar njëkohësisht hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

16 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›