E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi; Vrasja e Majnishtës, 23 vjet burg për Bardhyl Rustemin

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dënoi dje me 23 vjet heqje lirie të pandehurin Bardhyl Rustemi (Bajri), i akuzuar për veprën penale të "vrasjes me paramendim". Togat e zeza e kanë shpallur fajtor për herë të dytë të pandehurin Bardhyl Rustemi, pasi vendimi i parë për dënimin e këtij personi është prishur nga gjyqtarët e Apelit, të cilët dje lanë në fuqi vendimin e kolegëve të Shkallës së Parë. Ai akuzohet për vrasjen e Lec Manjishtës në Shkodër dhe sipas hetimeve të akuzës, i pandehuri e ka kryer krimin për motive të hakmarrjes. Sipas prokurorit, i pandehuri më datë 12 janar të vitit 2003, në rrugën "Martin Barleti" të Shkodrës, ka qëlluar me 14 plumba Lec Majnishtën, së bashku me shokun e tij, Sokol Selmani. Ditën e ngjarjes, sipas akuzës, viktima së bashku me shokun e tij ishin duke udhëtuar me makinë, kur janë qëlluar me breshëri armësh. Për pasojë, 14 plumbat e shkrehur lanë të vdekur Majnishtën, ndërkohë që u plagos Selmani. Për herë të dytë prokurorët kanë kërkuar dënimin e Rustemit, dhe kësaj here edhe togat e zeza të Apelit kanë krijuar bindjen për fajësinë e të pandehurit, duke e dënuar me 23 vjet burg.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›