E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pranga çobani 34-vjeçar, vrau shokun

Ishte përpjekur që ta bënte të dukej si vetëvrasje vdekjen e shokut të tij, por ra në prangat e policisë, i akuzuar si autori i saj. Policia e Kavajës ka vënë në pranga

34-vjeçarin Arjan Grami, i cili dyshohet se ka vrarë shtetasin Kastriot Godole. Të dy punonin si çobanë në fshatin Karpen. Sipas burimeve të policisë, ka qenë një sherr për motive banale, që ka çuar në vrasjen e shokut të tij. Pas krimit, 34-vjeçari kishte deklaruar se Godole kishte vrarë veten. Por pas hetimeve të kryera nga ana e ekspertëve, rezultoi se 26-vjeçari ishte vrarë. Hetuesit kërkuan arrestimin e Gramit, duke e cilësuar atë si autorin e kësaj ngjarjeje.

Hetimi

Hetuesit e çështjes mblodhën dëshmitë e para në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Karpën të Komunës Synej. Autori, gjatë marrjes në pyetje, kishte deklaruar se shoku i tij kishte vrarë veten. Megjithatë, disa nga dëshmitë dhe ekspertiza e bërë nuk përputheshin. Nisur nga kjo, agjentët vazhduan me hetimet dhe arritën në përfundimin se 26-vjeçari nuk kishte vrarë veten, por ishte vrarë nga 34-vjeçari Arjan Grami. Menjëherë nga oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Kavajë është kryer arrestimi i tij. Sipas burimeve të policisë, sherri ka nisur për motive të dobëta. Në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip pistoletë “TT”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vrasjes me dashje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

Ngjarja

Ka qenë mbrëmja e 4 tetorit, kur ka ndodhur vrasja e 26-vjeçarit. Të dy autorët dhe viktima punonin si çobanë në një stan në fshatin Karpen në Kavajë. Pasi kanë mbaruar punë, ata kanë shkuar për të pushuar. Kur ka ardhur momenti për të ngrënë darkë, kanë nisur debatet midis të dyve. Grami dhe Godole kanë filluar të debatojnë për gatimin e ushqimit. Situata është tensionuar midis të dyve dhe ata kanë filluar të konfrontohen fizikisht. Më pas 34-vjeçari ka marrë armën që ai mbante, një pistoletë tip “TT” dhe me atë ka qëlluar disa herë mbi Godolen. Plagët e marra kanë bërë që 26-vjeçari të humbë jetën. Në vendngjarje ka shkuar dhe policia. Grami është përpjekur që ta paraqesë ngjarjen si vetëvrasje, por pas hetimeve të kryera, policia i ka vënë prangat atij, të akuzuar për vrasje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›