E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria; Përfundojnë hetimet, dorëzohet për gjykim dosja e Erogen Brajoviçit

Prokuroria ka përfunduar hetimin dhe dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të shtetasit Erogen Brajoviç (Vaso), i akuzuar për akuzën e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë”. Hetimi ndaj të pandehurit Erogen Brajoviç (Vaso) ka filluar në bazë të kallëzimit penal të bërë nga shtetasit Fiqiri Rexha dhe Gëzim Dragani. Në muajin korrik të këtij viti dosja e të pandehurit është regjistruar për procedimin penal nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë”, parashikuar nga neni 109/b/1 i Kodit Penal. Ndalimi i shtetasit Erogen Millan Brajoviç (Vaso), lindur dhe banues në lagjen “Salo Halili”, Shkodër u bë në bazë të urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor, për arsye se më datë 08.11.2007, në ngarkim të këtij shtetasi është bërë kallëzim, pasi kishte kanosur për t’u ngujuar dy familje, pas një ngjarjeje (grindje e çastit) të ndodhur më datë 20.08.2007 në plazhin e Velipojës dhe konkretisht me shtetasit T. Rexha dhe L. Dragani. Erogen Brajoviçi sipas akuzës ka kërkuar me anë të kanosjes shumën e 50.000 eurove shtetasit F. Rexha për t’i lënë ata të lirë nga ngujimi, duke konsumuar kështu dhe elementet e veprës penale për të cilën akuzohet. Nga burimet, i pandehuri kur u arrestua ka deklaruar në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës, gjatë marrjes në pyetje se kishte kërcënuar familjet e dy djemve, pasi ata e kishin rrahur pa asnjë arsye në mes të njerëzve në Velipojë. Rasti do të jetë për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda për të provuar kështu akuzën e hedhur në ngarkim të të pandehurit nga organi i akuzës ku dëshmitarët kryesorë do të jenë vetë kallëzuesit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›