E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi do të ekzistojë gjithmonë me PD-në në pushtet

26/01/2010  Moratoriumi i skafeve
Kryeministri Berisha ka mbrojtur me fanatizëm ligjin për moratoriumin e mjeteve të lëvizshme detare. Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror për Liberalizimin e Vizave, kreu i Qeverisë është shprehur se i ashtuquajturi moratorium për skafet hyn në fuqi së shpejti. “Kjo është dëshmi e një vullneti të kësaj mazhorance që industria e mafies, pasi skafet janë industri e mafies, të mos mund të zhvillohet më në brigjet tona. Këtu dua të theksoj se heqja e këtij moratoriumi është e pashpresë për sa kohë kjo mazhorancë të jetë në pushtet. Nuk do të ketë skafe në ujërat tona. Ky është qëndrim politik”, ka deklaruar Kryeministri Berisha. Ai ka theksuar se Qeveria dhe mazhoranca e djathtë parlamentare shpall moratoriumin e skafeve para çdo fushate dhe qytetarët shqiptarë duhet ta vlerësojnë. Sipas shefit të ekzekutivit, ligji për moratoriumin e skafeve nuk lidhet me heqjen apo mosheqjen e vizave. “Kjo është një politikë konstante e Qeverisë”, deklaroi Kryeministri Berisha. Në këtë mënyrë ai u është përgjigjur edhe deklaratave të oponentëve të këtij vendimit të Qeverisë për shtyrjen e zbatimit të moratoriumit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›