Komplimentoi një vajzë, vritet me armë Altin Avrami
26/01/2010 Plagosen edhe 2 të tjerë
ITALI- Altin Avrami, emigrant prej vitesh në Milano të Italisë, është qëlluar për vdekje ditën e djeshme nga disa persona ende të paidentifikuar nga policia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në ambientet e një lokali nate, ku 38-vjeçari Avrami ishte duke u dëfryer së bashku me disa persona të tjerë. Nga hetimet e karabinierëve është arritur të provohet se shkak i këtij krimi është bërë një kompliment që viktima i ka bërë një vajze, e cila siç duket ka qenë e shoqëruar me disa persona të tjerë. Ky veprim ka shërbyer si indicie për fillimin e sherrit, dhe menjëherë njëri prej autorëve ka nxjerrë pistoletat duke qëlluar disa herë në drejtim të Altin Avramit. Ky i fundit është përshkuar vetëm nga një plumb që i ka hyrë në gjoks, ndërsa të shtënat e tjera kanë plagosur dy persona që ndodheshin aty në momentin e krimit. Dy të plagosurit aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën. Njëri është mjekuar për një plagë në dorë në spitalin “Legnano”, ndërsa tjetri ndodhet në spitalin “Rho”. Ndërkohë që karabinierët kanë filluar hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të këtij krimi, të cilët sipas dëshmitarëve janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Policia ka shoqëruar një sërë personash, por realisht nuk ka gjetur ende personin që qëlloi mbi shqiptarin.