Bankat japin më pak kredi për blerje banesash
26/01/2010 Për individët
Politikat shtrënguese që bankat po përdorin në aktivitetin kreditues kanë rënduar kryesisht mbi individët. Veçanërisht për blerje banesash një ndër produktet më të kërkuara prej tyre bankat kanë ulur ritmin e kreditimit. “Aktiviteti kreditues i bankave është ngadalësuar, duke shënuar një rritje vjetore të portofolit të kredisë prej vetëm 12 për qind. Kredia për biznese mban peshën kryesore në zgjerimin e portofolit të kredisë, ndërkohë që kredia konsumatore dhe ajo hipotekore janë kontraktuar”, - vlerëson Banka Qendrore në raportin e saj. Nivelet e ulëta të zgjerimit të portofolit të kredisë reflektojnë edhe rënien e kërkesës për konsum dhe investime si rrjedhojë e dobësimit të aktivitetit ekonomik. “Ecuria e kredisë në të ardhmen do të jetë një përcaktues i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik. Banka e Shqipërisë gjykon se sistemi bankar mund dhe duhet të bëjë më shumë përpjekje për të transmetuar politikën lehtësuese monetare të ndjekur prej saj në një kreditim më të madh të ekonomisë”,- theksojnë ekspertët. BSH-ja mbetet e gatshme që të ndihmojmë sistemin bankar me masa të nevojshme për të riaktivizuar tregun e kreditit.