Vendimi, edhe finalja e 2013 në "Uembli"
ANGLI- Stadiumi “Uembli” i Londrës do të presë edhe finalen e vitit 2013 në Champions League, vetëm 2 vjet pasi Barcelona u kurorëzua kampione e Evropës në këtë stadium. Lajmi është dhënë nga vetë presidenti i UEFA-s Mishel Platini dhe një gjë e tillë lidhet me faktin se 2013-ta do të përkojë me 150 vjetorin e Federatës Angleze të futbollit. “Ky vendim do të jetë si një premio për Federatën Angleze për 150-vjetorin, por edhe për organizimin e shkëlqyer të finales së këtij viti”, deklaroi kreu i futbollit europian. Vendimi i UEFA-s duket edhe si një mënyrë për të riparuar gabimin me finalen e luajtur tre javë më parë në stadiumin mitik të Anglisë. Çmimet e biletave për ndeshjen finale ndërmjet Mançester Junajtid dhe Barcelonës ishin më të lartat e historisë dhe kjo solli kritika të shumta nga njerëzit e sportit. Madje, në muajin prill edhe vetë presidenti Platini kërkoi falje për çmimet e larta dhe premtoi ulje të tyre në të ardhmen.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)